Kili/ Nën masa të rrepta sigurie transferohen 9 gangsterë të rrezikshëm, mes tyre narkosi shqiptar Viktor Gjini (VIDEO)

Bota

Kili/ Nën masa të rrepta sigurie transferohen 9 gangsterë të

Autoritetet kiliane kanë zhvilluar një operacion të posaçëm sigurie për transferimin e nëntë prej të burgosurve më të rrezikshëm të vendit drejt burgut të sigurisë së lartë La Laguna, në Talca. Mes tyre është edhe shqiptari Viktor Gjini, i dënuar në Kili për trafik ndërkombëtar droge.

Operacioni, i koduar “Cancerbero”, u zhvillua nga xhandarmëria kiliane dhe kishte si synim largimin e figurave të rëndësishme të organizatave kriminale nga burgjet e Santiago-s dhe përqendrimin e tyre në një strukturë të posaçme sigurie.

Gjini, 58 vjeç, është një nga emrat në listën e të transferuarve. Ai është dënuar me 10 vite burg për trafikimin e rreth 98 kilogramëve kokainë, në një çështje që autoritetet kiliane e kanë lidhur me përpjekjen për krijimin e një korridori të ri të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Sipas hetimeve të zhvilluara në Kili, Gjini kishte udhëtuar drejt vendit me synimin për të organizuar transportin e drogës përmes porteve kiliane. Destinacioni i ngarkesës ishte planifikuar të ishte Roterdami, në Holandë.

Në kuadër të hetimit, një agjent i infiltruar i Marinës kiliane u përdor për të dokumentuar kontaktet me grupin. Sipas vendimit gjyqësor, Gjini i kishte ofruar agjentit 20 mijë dollarë për të mundësuar fshehjen e një sasie prej rreth 100 kilogramësh kokainë në një kontejner që do të transportohej nga Kili drejt Europës.

Gjykata Penale e Viña del Mar e dënoi atë me 10 vite burg, vendim që më pas u la në fuqi edhe në apel.

Rasti i tij është përmendur nga mediat kiliane si pjesë e përpjekjeve të grupeve kriminale shqiptare për të krijuar rrugë të reja të trafikut të kokainës drejt Europës.

Ai ndodhej prej kohësh në burg dhe aksioni i ditës së djeshme kishte për qëllim transferimin e tij dhe të tetë të burgosurve të tjerë drejt burgut La Laguna në Talca, një strukturë e konceptuar për të izoluar drejtuesit dhe figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar në Kili.

Kush është Viktor Gjini

Sipas hetimit, Gjini mbërriti në Kili duke përdorur një pasaportë holandeze dhe u vendos në një hotel në Las Condes, ku koordinonte takime për të realizuar dërgimin e rreth 200 kilogramëve kokainë drejt Evropës.

Prokuroria e përshkroi atë si një person ‘me përgatitje të lartë’, që fliste katër gjuhë dhe kishte njohuri të detajuara për eksportet, portet dhe rrugët detare.

“Po flasim për një person me përgatitje dhe aftësi të larta. Nuk është një trafikant i zakonshëm, i nivelit të ulët. Përkundrazi, ai flet katër gjuhë, njeh produktet kryesore që eksporton vendi ynë, njeh rrugët dhe emrat e anijeve. Dhe gjëja e parë që thotë është: ‘dua të shkoj në Valparaíso për të parë si funksionon porti”, tha prokurori Carlos Ribas nga ekipi SAC-ECOH i Valparaísos.

Objektivi i tij ishte krijimi i një rruge të re trafiku nga Kili drejt Evropës duke përdorur kontejnerë detarë. Operacioni u infiltrua nga një agjent i fshehtë i Marinës dhe u monitorua nga Karabinierët./SHEKULLI

ME TE LEXUARAT