Japoni/ Tërmeti 7.1 ballë shkakton panik, raportohet për viktima në një qendër tregtare dhe fabrikë (VIDEO)

Bota

Japoni/ Tërmeti 7.1 ballë shkakton panik, raportohet për viktima

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë ka goditur jugperëndimin e Japonisë, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe duke vënë në alarm autoritetet lokale.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë persona të bllokuar dhe viktima të mundshme në një qendër tregtare, një pjesë e së cilës u shemb pas lëkundjeve të forta, si dhe në një fabrikë letre të prekur nga tërmeti.

Sipas autoriteteve, rreth 20 deri në 30 punonjës të qendrës tregtare dyshohet se kanë mbetur të bllokuar dhe ende nuk janë lokalizuar. Ndërkohë, disa media japoneze kanë raportuar për viktima, por pa dhënë ende një bilanc zyrtar.

Lëkundja u regjistrua në orën 16:27 me kohën lokale dhe shkaktoi dëmtime në rrjetin rrugor, shembjen e një ure për këmbësorë, ndërprerje të energjisë elektrike për mijëra familje dhe dëmtime të objekteve publike.

Pas tërmetit kryesor janë regjistruar edhe dhjetëra pasgoditje me intensitet më të ulët, duke rritur shqetësimin për banorët në zonat e prekura.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë qytetarë që largohen nga qendra tregtare me ndihmën e stafit, ndërsa pak minuta më pas është raportuar një shpërthim në zonë, që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga një rrjedhje gazi.

Autoritetet japoneze vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe po vlerësojnë përmasat e plota të dëmeve.

ME TE LEXUARAT