Itali, sekuestrohen mbi 414 kg hashash me vlerë mbi 4 milionë euro, arrestohet 29-vjeçari shqiptar

Mbi 414 kilogramë hashash, që dyshohet se do të shpërndahej në tregun e drogës në Romë dhe provincë, janë sekuestruar nga autoritetet italiane në Guidonia. Vlera e lëndës narkotike në tregun me pakicë vlerësohet në mbi 4 milionë euro.
Në pranga ka rënë një 29-vjeçar me origjinë shqiptare, i akuzuar për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin.
Kontrollet nisën pas dyshimeve mbi lëvizjet e të riut pranë një ndërtese në zonë. Ai u ndalua ndërsa po përpiqej të ngarkonte në bagazhin e automjetit disa valixhe të mëdha. Brenda tyre u gjetën rreth 98 kilogramë hashash.
Hetimet vijuan pas gjetjes së një tufe çelësash në posedim të 29-vjeçarit. Çelësat çuan autoritetet drejt disa ambienteve të përdorura si depo dhe pika shpërndarjeje në Guidonia dhe Romë.
Në njërën prej strukturave, një sasi e konsiderueshme droge ishte fshehur brenda frigoriferëve, të cilët ishin përshtatur për ruajtjen e lëndës narkotike.
Gjatë kontrolleve, përfshirë edhe një garazh, u gjetën materiale për paketimin e dozave, si dhe disa shënime të shkruara me dorë që përmbanin të dhëna mbi sasinë dhe llogaritjen e drogës.
Në përfundim të operacionit, sasia totale e hashashit të sekuestruar kaloi 414 kilogramë.
Arrestimi i 29-vjeçarit është konfirmuar nga gjykata, e cila ka vendosur ndaj tij masën e arrestit në burg në pritje të vijimit të procedurave gjyqësore.


