Sulmi ndaj murgeshës në Jerusalem shkakton indinjatë: Nuk është rast i izoluar

Një video e publikuar së fundmi ka shkaktuar reagime të forta pasi tregon momentin kur një murgeshë katolike franceze sulmohet në Jerusalem.
Sipas pamjeve, një burrë i afrohet nga pas dhe e shtyn me forcë në tokë. Më pas ai tenton ta godasë sërish, ndërsa ndërhyrja e një kalimtari arrin ta ndalojë.
Murgesha, e cila është edhe studiuese arkeologjie në Jerusalem, ka pësuar lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia izraelite bëri të ditur se ka arrestuar një 36-vjeçar si të dyshuar për sulmin, duke theksuar se do të zbatohet tolerancë zero ndaj çdo akti dhune në qytet.
Ngjarja ndodhi në malin Sion, zonë me rëndësi të madhe fetare për komunitetet hebraike dhe të krishtera, dhe është interpretuar si sinjal i rritjes së tensioneve ndërfetare në Jerusalem.
Konsullata franceze e dënoi ashpër incidentin dhe kërkoi që autori të përballet me drejtësinë, ndërsa përfaqësues fetarë dhe akademikë shprehën shqetësim për shtimin e rasteve të armiqësisë ndaj të krishterëve në rajon.


