Goditje për Nigel Farage, hetimi i Channel 4 trondit “Reform UK” mbi financimet e partisë! Dy zyrtarë japin dorëheqjen

Bota

Goditje për Nigel Farage, hetimi i Channel 4 trondit “Reform

Reform UK e Nigel Farage është përfshirë nga një valë e re polemikash, pasi një hetim i Channel 4 ka zbuluar se dy zyrtarë të lartë të partisë, James Orr, përgjegjës për politikat e partisë, dhe Dan Jukes, bashkëpunëtor i afërt i liderit, kishin organizuar financimin e tre sondazheve për partinë nga një kompani amerikane, me një kosto totale prej 32.500 paundësh.

Sipas hetimit, dy zyrtarët i kanë sugjeruar gjithashtu një donatori të rremë një mënyrë për të anashkaluar rregullat britanike mbi financimin e partive politike. Të dy zyrtarët kanë dhënë dorëheqjen ndërsa pritet përfundimi i hetimit të brendshëm të partisë.

Sipas asaj që është dokumentuar në pamjet filmike, zyrtari i Reform UK, Dan Jukes, është filmuar duke takuar një person që hiqej si djali i një biznesmeni të pasur amerikan, rezident në Britaninë e Madhe.

Ligji zgjedhor britanik përcakton se për të bërë një donacion ndaj një partie politike në Mbretërinë e Bashkuar, një person duhet të jetë zgjedhës i regjistruar në vend ose një kompani e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë rast, djali do të konsiderohej një donator i ligjshëm, ndërsa babai i tij jo.

Gazetari i Channel 4, duke u paraqitur si djali i biznesmenit amerikan, shprehu shqetësimin se i ati nuk do të mund t’i dhuronte drejtpërdrejt para partisë në përputhje me ligjin.

Në një video të regjistruar jashtë një pub-i në Westminster, Jukes dëgjohet duke thënë: “E kuptoni që mund ta bëni këtë?”

Reform UK mohon çdo shkelje të ligjit dhe deklaron se është bërë “viktimë e një kurthi të orkestruar nga aktivistë të klimës të financuar nga jashtë”.

Më pas, Channel 4 transmetoi edhe pamje nga një drekë në Clacton, në Essex, ku gazetari paraqitej si djali rezident në Britani, ndërsa një aktor luante rolin e babait të tij të supozuar amerikan.

Përballë tyre ndodheshin Dan Jukes dhe lideri i Reform UK, Nigel Farage. Farage deklaroi se “gjithçka është në rregull”, pasi djali i pretenduar i kishte thënë se e kishte diskutuar çështjen gjerësisht si me Jukes, ashtu edhe me James Orr, përgjegjësin për politikat e Reform UK.

“Unë do të jem donatori i regjistruar”, tha gazetari, duke shtuar: “Më pas babai do të më dërgojë paratë dhe, sapo gjithçka të jetë kryer dhe të gjitha formalitetet të jenë përfunduar, paratë do të jenë të disponueshme.”

Përveç shumës për financimin e sondazheve, në diskutim ishte edhe një tjetër donacion për partinë, në vlerën e 500 mijë paundëve.

Nigel Farage ka hedhur poshtë akuzat për financime të paligjshme të Reform UK, duke këmbëngulur se partia e tij “nuk ka shkelur asnjë ligj” dhe se nuk ka marrë “para të dyshimta”.

Ndërkohë, policia e Londrës ka konfirmuar se ka marrë raportime për shkelje të mundshme të ligjit, pas ankesave të bëra nga parti të tjera politike, përfshirë Labour-in e kryeministrit të ri, Andy Burnham.

Çështja rrezikon t’i shkaktojë një goditje të rëndë politike Farage, i cili së fundmi u rizgjodh në një zgjedhje të pjesshme në zonën elektorale të Clacton, në jug të Anglisë.

Farage kishte dhënë dorëheqjen nga posti me synimin për të rikandiduar dhe për të kërkuar “gjykimin e popullit”, përballë akuzave lidhur me një donacion të padeklaruar prej 5 milionë paundësh. Për këtë çështje ai vijon të jetë në qendër të një hetimi parlamentar.

Partia e djathtë, kundër emigracionit dhe e frymëzuar nga modeli politik i Donald Trump, po përballet gjithashtu me kongresin e saj në Birmingham, i cili është dëmtuar politikisht nga një seri skandalesh të fundit lidhur me donacione të dyshuara në shuma shumë të mëdha, të cilat nuk janë deklaruar.

Këto skandale duket se kanë ndikuar edhe në mbështetjen e Reform UK në sondazhe. Partia ka humbur terren dhe është rikthyer pas Labour-it të Burnham, ndërsa tashmë ndodhet kokë më kokë me të djathtën tradicionale konservatore, Tory-t e drejtuar nga Kemi Badenoch.

Kjo vjen pas rreth një viti e gjysmë në krye të sondazheve dhe pas rezultatit triumfues të Reform UK në zgjedhjet lokale të muajit maj.

ME TE LEXUARAT