VIDEOLAJM/ Shtëllungat e tymit nga zjarri apokaliptik në Fier mbërrijnë në Vlorë, "nxihet" qielli

Zjarri që ka përfshirë ditën e sotme kodrat e Radostinës në Fier ka marrë përmasa të mëdha, ndërsa shtëllungat e dendura të tymit janë përhapur përtej zonës së zjarrit dhe kanë mbërritur deri në Vlorë.
Pamjet e siguruara nga qyteti bregdetar tregojnë një pjesë të qiellit në hyrje të Vlorës të mbuluar nga tymi, duke krijuar një shtresë të dukshme të errët mbi zonë.
Zjarri në Radostinë vijon të jetë aktiv, ndërsa flakët janë përhapur në sipërfaqe me ullishte, shkurre dhe pyje me pisha.
Era dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e zjarrit, duke vështirësuar edhe ndërhyrjen e forcave në terren.
Për shkak të përmasave të zjarrit, në zonë janë angazhuar disa mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta, ndërsa është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri.
Flakët janë afruar pranë zonave të banuara dhe dy lokaleve në Qafën e Koshovicës, ndërsa disa familje janë evakuuar.
Ndërkohë, përhapja e tymit ka prekur edhe zonat përtej Fierit.
Shtëllungat e mëdha janë bërë të dukshme nga Vlora, ku pamjet tregojnë ndikimin e zjarrit edhe në qiellin mbi hyrjen e qytetit.
Situata vijon të monitorohet, ndërsa ekipet në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Për shkak të zjarrit, është raportuar edhe bllokimi i përkohshëm i hekurudhës Fier–Vlorë.


