Fitoi mbi 100 mijë dollarë baste me fjalimet e Trump/E vërteta SHOKUESE për punonjësin e Shtëpisë së Bardhë!

Një punonjës i stafit teknik të Shtëpisë së Bardhë është përfshirë në një hetim federal në SHBA, pasi dyshohet se ka përdorur informacion të brendshëm për të fituar më shumë se 100 mijë dollarë përmes basteve mbi fjalimet e presidentit amerikan. Bëhet fjalë për Gabriel Perez, operatorin e prompterit që prej vitesh qëndron pranë presidentit Donald Trump gjatë daljeve publike dhe i siguron tekstin e fjalimeve.
Sipas hetuesve, Perez ka vendosur baste në platformën e tregjeve online Kalshi, duke parashikuar saktë fjalët dhe temat që Trump do të përdorte në deklaratat e tij. Dyshimet janë se ai kishte akses paraprak në fjalimet e përgatitura dhe e ka shfrytëzuar këtë informacion për të përfituar financiarisht. Për këtë arsye, autoritetet po e hetojnë për përdorim të mundshëm të informacionit të privilegjuar.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Perez është pezulluar nga detyra pa pagesë gjatë zhvillimit të hetimeve. Platforma Kalshi, e cila lejon përdoruesit të vendosin baste mbi ngjarje të ndryshme publike, përfshirë edhe përdorimin e fjalëve apo frazave të caktuara në fjalime, ishte ajo që sinjalizoi aktivitetin e dyshimtë tek autoritetet.
Sipas hetimeve fillestare, Perez ka vendosur baste për rreth dymbëdhjetë fjalime të Trump, duke përfshirë edhe fjalimin për Gjendjen e Unionit në shkurt, fjalimin në Forumin Ekonomik Botëror në Davos dhe një ceremoni të dhënies së Medaljes së Nderit.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se në disa raste ai ka mbyllur bastet gjatë kohës që Trump po fliste, pasi ka kuptuar se presidenti kishte kapërcyer pjesën e tekstit ku duhej të përdorte fjalën mbi të cilën ishte vendosur basti.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se Trump e kishte cilësuar situatën si “një turp” dhe kishte mbështetur vendimin për pezullimin e menjëhershëm të punonjësit. “Administrata ka rregulla të rrepta etike që presim të respektohen nga të gjithë punonjësit dhe zyrtarët”, u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.


