FOTO/ U dërgua në shtëpi me antibiotikë për një infeksion në vesh, 21-vjeçari vdes pasi u diagnostikua me një sëmundje të rëndë

Simptomat e Tyler Morton filluan si dhimbje veshi, përpara se ana e majtë e fytyrës të mpihej papritur dhe ai të kishte vështirësi në ecje.
Artisti 21-vjeçar, nga Bedford, u diagnostikua me një infeksion në vesh në spital dhe u dërgua në shtëpi me antibiotikë. Por ilaçet nuk bënë asnjë ndryshim dhe gjendja e tij u përkeqësua shpejt.
“The Sun” shkruan se, Tyler filloi të sëmurej dhe humbi funksionin në të gjithë anën e majtë të trupit të tij. Familja e çoi përsëri në spital, ku një skanim CT zbuloi një lezion në trurin e tij.
Më pas i riu u dërgua në një spital tjetër, Spitalin Addenbrooke në Kembrixh, ku një biopsi e diagnostikoi atë me glioblastomë të gradës 4, një lloj kanceri të trurit të avancuar dhe agresiv.
Mjekët i thanë Tyler se ishte shumë i sëmurë për t’iu nënshtruar trajtimit sepse trupi i tij nuk do të kishte qenë në gjendje të përballonte.




“Isha shumë e zemëruar dhe e mërzitur që nuk e kishim zbuluar më herët se ai kishte një tumor në tru. Padyshim mendoj se mund të ishte bërë shumë më tepër për të. Na thanë se Tylor nuk mund të merrte asnjë trajtim sepse trupi i tij nuk do të kishte qenë në gjendje t’a përballonte atë. Nëse do t’a kishim zbuluar më herët, ai ndoshta do të kishte pasur mundësinë të bënte kimioterapi. Të paktën do të na dukej sikur e provuam”, ka thënë motra e tij Ella Morton.
19-vjeçarja ka shtuar se ‘ajo që i ndodhi Tylor ishte një përvojë kaq traumatike dhe nuk dua që askush tjetvr t’a kalojë këtë’.
21-vjeçari vdiq më 25 mars, vetëm katër javë pasi u shfaqën simptomat e tij të para.
“Atij iu tha se kishte marramendje dhe iu dhanë ilaçe kundër të vjellave, por nuk ndihmoi aspak. E çova përsëri në spital; kur mbërritëm, ai kishte pasur dy kriza. Ai ishte fizikisht i paaftë në atë pikë dhe mezi fliste. Pesë ditë më vonë, Tyler bëri një skanim CT i cili zbuloi një lezion në trurin e tij. Një javë më vonë, Tyler bëri një skanim pasues në Spitalin Addenbrooke në Kembrixh. Të nesërmen ai bëri një biopsi; një javë më vonë, na thanë se Tyler kishte një glioblastomë të gradës 4. Tre javë më parë, ai ecte dhe fliste, dhe tani nuk mund të bënte asgjë vetë. Ai ishte thjesht një trup në atë pikë. Tyler u lirua nga spitali për të ndërruar jetë praktikisht në shtëpi”, ka thënë Ella.
Glioblastoma është një lloj agresiv i kancerit të trurit pa kurë të njohur. Rreth 3,200 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen çdo vit, me vetëm një të tretën që mbijetojnë përtej 12 muajve. Mbijetesa mesatare është midis 12 dhe 18 muajve.
Për vëllain, Ella u shpreh: “Gjithçka ndodhi kaq shpejt dhe ai u përkeqësua kaq shpejt. Tyler ishte një vëlla i madh i mrekullueshëm. Ai ishte qesharak dhe i sjellshëm – lloji i vëllait tek i cili shkoja për çdo gjë. Ne të dy jetonim me gjyshen tonë dhe ishim të pandashëm. Isha e shqetësuar që nuk mund të bëhej asgjë për të. E dija që mund të merrje kancer kudo në trup, por nuk e kuptoja sa keq të prek nëse është në tru. Ka mundësi shumë të kufizuara trajtimi krahasuar me kanceret e tjera”.


