“Ferr mbi tokë” në Kiev, Rusia bombardon stacionin e metrosë ku strehoheshin qindra qytetarë

Një tjetër natë e tmerrshme për Ukrainën. Rusia ka lëshuar një breshëri raketash dhe dronësh mbi qytete të ndryshme, mes tyre edhe kryeqytetin Kiev, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha.
Stacioni i metrosë Lukianivska, ku qindra banorë po strehoheshin nga bombardimet, u godit rëndë. Pamjet nga vendngjarja tregojnë platformën e mbuluar nga tymi dhe pluhuri, me qytetarë të tmerruar që qëndronin në vend pa ditur ç’të bënin. Të paktën një person humbi jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën.
Dëme u regjistruan edhe në biznese, dyqane dhe një kopsht fëmijësh. Sulmi zgjati rreth tre orë, nga ora 2 deri në 5 të mëngjesit, dhe preku katër lagje të kryeqytetit. Kryebashkiaku Vitali Klitschko konfirmoi se ekipet e emergjencës janë në terren, ndërsa banorët e përshkruajnë natën si “ferr mbi tokë”.
I goditur rëndë ishte edhe qyteti perëndimor Ivano-Frankivsk, një zonë shumë larg vijës së frontit. Kryetari i bashkisë e quajti këtë si sulmin më të madh që nga nisja e pushtimit në 2022. Raportime për shpërthime erdhën gjithashtu nga Kharkiv.
Sulmet ndodhën pak ditë pasi presidenti Zelenskyy tha se i ka propozuar Moskës një raund të ri bisedimesh. Deri më tani, përpjekjet për armëpushim në Stamboll kanë dështuar.
Nga ana tjetër, Kremlini ka sinjalizuar gatishmëri për negociata, nën presionin e afatit 50-ditor që presidenti amerikan Donald Trump i ka vendosur Rusisë për arritjen e një marrëveshjeje.
Bashkimi Europian ka reaguar duke miratuar paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, që godet sektorin bankar dhe vendos kufizime të reja për eksportin e naftës, si përpjekje për të shtrënguar ekonominë ruse dhe frenimin e luftës.


