Europa përvëlohet nga temperaturat ekstreme, mbi 1 milion hektarë janë përfshirë nga zjarret

Bota

Europa përvëlohet nga temperaturat ekstreme, mbi 1 milion hektarë

Mbi një milion hektarë tokë në Europë janë përfshirë nga zjarret gjatë viteve të fundit, një sipërfaqe që është e barabartë me rreth një të tretën e territorit të Belgjikës.

Kontinenti po përballet me një situatë gjithnjë e më të rënduar për shkak të temperaturave ekstreme dhe periudhave të gjata të thatësirës. Europa po ngrohet me më shumë se dyfishin e ritmit të mesatares globale, duke prekur edhe vende që historikisht nuk janë përballur me temperatura kaq të larta.

Një nga shtetet që po përjeton pasoja të forta është Mbretëria e Bashkuar. Rreth 75% e territorit të Anglisë ndodhet aktualisht nën kushte thatësire, ndërsa parashikimet sinoptike paralajmërojnë një tjetër valë të nxehti gjatë kësaj vere.

Thatësira ka dhënë pasoja të drejtpërdrejta edhe në bujqësi. Fermerët britanikë kanë nisur korrjen e drithërave më herët se në çdo moment tjetër gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa rezervuarët dhe burimet ujore po përballen me rënie të ndjeshme të niveleve.

Sipas të dhënave, rezervat e ujit janë ulur nga 11% deri në 70% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 22% e rrjedhave ujore në vend klasifikohen aktualisht si “jashtëzakonisht të ulëta”.

Prurjet në disa prej lumenjve dhe burimeve ujore po i afrohen niveleve minimale të regjistruara në të kaluarën, madje në disa raste pritet të tejkalojnë rekordet negative të vitit 1976.

Ndërkohë, parashikimet për ditët në vijim tregojnë se temperaturat në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar mund të ngjiten deri në 36 gradë Celsius, duke shtuar më tej presionin mbi rezervat ujore, bujqësinë dhe rrezikun për zjarre.

Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i temperaturave të larta, thatësirës së zgjatur dhe mungesës së reshjeve po e bën gjithnjë e më të vështirë menaxhimin e pasojave të klimës ekstreme në Europë.

ME TE LEXUARAT