“Propagandë kundër regjimit”, gjykata iraniane dënon me 21 vite burg gazetaren

Bota

“Propagandë kundër regjimit”, gjykata iraniane dënon

Gjykata Revolucionare Islamike në perëndim të Iranit e ka dënuar gazetaren Zina Modares Gorji me 21 vjet burgim, për shkak se ajo i ka mbështetur publikisht të drejtat e grave.

Sipas REL, organizata kurde për të drejtat e njeriut, Kurdpa, raportoi se gjykatësi Mohammad Karami ia shqiptoi Gorjit një aktgjykim të kombinuar me burgim. Ajo u dënua me 10 vjet burgim për “krijimin e një grupi të jashtëligjshëm, me qëllim për ta rrëzuar nga pushteti regjimin”, si dhe me 10 vjet të tjera burgim për “bashkëpunim me grupe dhe qeveri armiqësore”.

Gorji u dënua edhe me një vjet shtesë burgim për “propagandë kundër regjimit”. Sipas ligjit iranian, kur një i pandehur merr dënime të shumëfishta në rastin kundër tij, atëherë zbatohet dënimi më i gjatë, që nënkupton se ajo do t’i vuajë 10 vjet burgim. Megjithatë, gjykata tha se ajo duhet ta vuajë edhe një dënim me 10 vjet mërgim më pas.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Mbështetësit e saj thanë se ajo u njoftua për dënimin zyrtarisht më 23 maj dhe se ekipi i saj ligjor bëri ankesë ndaj aktvendimit të gjykatës.

Avokatët e saj kanë kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe e kanë sfiduar aktvendimin e gjykatës, duke e cilësuar si të ashpër dhe të nxitur politikisht.

Dënimi me mërgim, thonë analistët, tregon se sa larg janë në gjendje të shkojnë autoritetet iraniane për t’ua mbyllur gojën kundërshtuesve, pas trazirave gjithëkombëtare për vdekjen e Mahsa Aminit në paraburgim policor, për gjoja shkeljen e ligjit të hixhabit, apo shamisë së kokës, në shtator 2022.

ME TE LEXUARAT