Artisti kinez dënohet me tre vjet burg për skulpturat e Mao Ce Dunit

Artisti disident kinez Gao Zhen, i njohur për skulpturat e tij satirike të ish-liderit kinez Mao Ce Dun, është dënuar me tre vjet burg për “shpifje ndaj heronjve kombëtarë dhe martirëve”, thanë gruaja e tij dhe një organizatë për të drejtat e njeriut.
Gao, 70 vjeç, i cili jeton në Nju Jork, u arrestua në gusht 2024 gjatë një vizite në Kinë dhe gjyqi u mbajt me dyer të mbyllura në fillim të këtij viti.
Gruaja e tij, Zhao Jaliang, i tha Reuters se familja ishte e indinjuar nga vendimi dhe tha se Gao planifikonte të apelonte.
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut Kinez” bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte, me vlerësimin se artisti u dënua për vepra të kryera vite para se të hynte në fuqi ligji mbi bazën e të cilit u ndoq penalisht.
Së bashku me vëllanë e tij Gao Qiang, Gao krijoi skulptura që kritikojnë Revolucionin Kulturor, një periudhë persekutimi politik dhe trazirash sociale në Kinë nga viti 1966 deri në vitin 1976.
Ndër veprat e tyre më të famshme janë “Zonjusha Mao”, një skulpturë e Mao Ce Dunit me tipare të shtrembëruara në mënyrë groteske, dhe “Faji i Maos” , një figurë bronzi e ish-udhëheqësit të gjunjëzuar në një qëndrim pendues.
Gao u akuzua sipas Ligjit të Kinës për Mbrojtjen e Heronjve dhe Martirëve, i cili hyri në fuqi në vitin 2018 dhe u ashpërsua më tej në vitin 2021. Prokuroria e bazoi çështjen në veprat e artit të krijuara midis viteve 2005 dhe 2009.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, disa diplomatë perëndimorë u penguan të merrnin pjesë në gjyq. Gruaja e Gao-s dhe djali i tyre, një shtetas amerikan, gjithashtu janë penguar të largohen nga Kina që nga arrestimi i tij, tha ajo.


