Zjarri në malin e Dardhës, terreni i vështirë dhe era pengojnë shuarjen e flakëve (VIDEO)

Prej tetë ditësh, një zjarr i përmasave të mëdha vijon të jetë aktiv në zonën pyjore të fshatit Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.
Dhjetëra efektivë të Shërbimit Zjarrfikës, të mbështetur nga strukturat vendore, vijojnë operacionin për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Ndërhyrja po zhvillohet në kushte tepër të vështira për shkak të terrenit malor, erës së fortë dhe temperaturave të larta, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë vatra të reja zjarri, ndërsa kujtojnë se zjarrvënia e qëllimshme përbën vepër penale dhe dënohet sipas ligjit.
Operacioni në malin e Dardhës vijon, ndërsa ekipet mbeten të angazhuara në terren deri në neutralizimin e plotë të flakëve.


