Zjarret në Tiranë, arrestohet 70-vjeçari i dyshuar për dy zjarrvënie në Lundër dhe Shkozë

Një 70-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se është autori i dy zjarrvënieve të regjistruara gjatë dy ditëve të fundit në Lundër dhe Shkozë.
Policia bën me dije se i arrestuari, me inicialet S. A., u identifikua pas veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Sipas hetimeve, më 9 gusht, në fshatin Lundër, 70-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr pranë magazinave të Bashkisë së Tiranës. Një ditë më parë, më 8 gusht, ai dyshohet se ka ndezur zjarr pranë disa shkurreve në afërsi të një kabine elektrike në Shkozë.
Njoftimi
Tiranë/Vijojnë intensivisht hetimet dhe veprimet operacionale, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve.
Vihet në pranga autori i dyshuar i 2 zjarrvënieve, gjatë 2 ditëve të fundit, në Lundër dhe në Shkozë.
Si pasojë e zjarreve në afërsi të magazinave të Bashkisë dhe të një kabine elektrike, pati dëme të shumta në sipërfaqet e tokave përreth.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimeve për zjarrvënie, krahas asistencës së ofruar shërbimeve zjarrfikëse, për shuarjen e flakëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 identifikuan dhe arrestuan brenda 48 orëve nga ndezja e 2 zjarreve, autorin e dyshuar të tyre, shtetasin S. A., 70 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se më datë 09.08.2026, në fshatin Lundër, ka ndezur zjarr në afërsi të magazinave të Bashkisë Tiranë, ndërsa më datë 08.08.2026, dyshohet se ka ndezur zjarr te disa shkurre në afërsi të një kabine elektrike, në fshatin Shkozë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rrethanë të mos ndezin zjarr, pasi do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.


