Zbulohen emrat e dyshuar për vrasjen e Renis Dobrës! Njëri prej tyre dëshmitar i atentatit ndaj Azem Hajdarit (EMRAT)

Pas dëshmisë së familjarëve të 23-vjeçarit Renis Dobra dhe sekuestrimit të kamerave të sigurisë përgjatë aksit kombëtar Burrel-Tiranë, grupi hetimor ka arritur të identifikojë autorët e dyshuar të vrasjes së rëndë.
Në kërkim janë shpallur katër persona, mes të cilëve tre vëllezër nga Tropoja, Aleksandër Bushgjokaj, Fation Bushgjokaj dhe Kristë Bushgjokaj. Ndërsa, personi i katërt është Petrit Çakrri, një emër i njohur për policinë pasi ka qenë një nga dëshmitarët okularë të vrasjes së ish-deputetit Azem Hajdari, më 12 shtator 1998.
Sipas hetimeve, Petrit Çakrri ka marrë me qira dy automjete në zonën e Rinasit, një Range Rover të zi dhe një Honda të bardhë, që dyshohet se janë përdorur gjatë krimit.
Grupi hetimor ka zbuluar lëvizjet e automjeteve të marra me qira përmes GPS dhe pamjeve filmike të kamerave të sigurisë. Pasi janë përdorur për krimin, mjetet janë dorëzuar dhe janë marrë automjete të tjera me qira, për të humbur gjurmët.
Sipas të dhënave nga hetimet, automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri që më vonë ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha ka ndjekur të njëjtën trajektore me viktimën, Renis Dobra.
Pas ngjarjes, Çakrri dyshohet se është larguar nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Morinës.
Ndërsa, nipi i tij u ndalua nga policia dhe iu sekuestrua celulari, aty ku besohet se janë gjendur prova të shumta që mund të zbërthejnë detaje të plota për vrasjen e Renis Dobrës.
Shkaku i vrasjes lidhet me tregtinë e kokainës në Gjermani, ku Renis Dobra kishte qenë më parë i arrestuar dhe dënuar nga drejtësia e këtij vendi.
Sipas informacioneve të mbledhura nga policia e Dibrës, ai dyshohet se vite më parë punonte si shpërndarës droge në Gjermani, për llogari të grupit kriminal që drejtohej nga 3 vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja.
Në disa raste, Dobra nuk kishte dorëzuar shumën e fituar nga shitja e drogës, duke pretenduar se lënda narkotike i kishte hedhur në rrugë, ujë apo liqen, për arsye se po e ndiqte policia.
Kjo ka ngritur dyshime tek vëllezërit Bushgjokaj, të cilët kanë besuar se ai i kishte mashtruar dhe vjedhur paratë e tyre. Ndasj si shenjë hakmarje ata kanë vendosur ta vrasin.
Në këtë krim të rëndë, vëllezërit Bushgjokaj kanë përdorur dhe mikun e tyre Petrit Çakrrin nga Tropoja, i cili ka marë dy makina me qira, një “Range-Rover” dhe një “Honday Santa”, të cilat janë përdorur në këtë krim.


