Vrasja e Enea Mekollit / “Na dërgonin drejt vdekjes pa mbrojtje” / Ish-polici shpërthen pas tragjedisë në Maliq: Jeta jonë vlente më pak se…

Një ish-efektiv i Policisë së Shtetit, Aldi Bylyku ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Maliq, ku u vra polici Enea Mekolli, duke publikuar një dëshmi të gjatë dhe të fortë mbi kushtet në të cilat, sipas tij, punonin efektivët gjatë operacioneve për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë.
Në rrëfimin e tij, ish-polici tregon se ka shërbyer në Komisariatin e Maliqit nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe ka marrë pjesë në disa operacione për kapjen e Violand Braçellarit. Ai pretendon se efektivët shpesh dërgoheshin në terren me forca të pamjaftueshme, pa pajisje të mjaftueshme mbrojtëse dhe me mjete logjistike të kufizuara.
Sipas tij, ndërhyrjet me mbështetjen e forcave speciale si FNSH apo RENEA ishin të rralla, ndërsa pjesa më e madhe e operacioneve kryhej nga punonjësit e komisariatit lokal dhe strukturave të tjera vendore. Ish-efektivi pretendon se në shumë raste grupet operacionale përbëheshin nga vetëm disa policë, ku vetëm një ose dy prej tyre mbanin armë automatike, ndërsa pjesa tjetër ishin të pajisur me pistoleta. Ai rrëfen gjithashtu se mungesa e mjeteve dhe karburantit ndikonte drejtpërdrejt në organizimin e operacioneve.
Në dëshminë e tij përmenden raste konkrete kur efektivët janë urdhëruar të qëndrojnë me ditë të tëra në terren për të pritur persona të dyshuar, pavarësisht rrezikut të lartë dhe mungesës së masave të sigurisë. Ai ngre gjithashtu pikëpyetje për drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe institucionet përgjegjëse, duke kërkuar transparencë mbi operacionet e zhvilluara ndër vite, numrin e efektivëve të përfshirë, pajisjet e përdorura dhe masat reale të mbrojtjes së tyre.
Në fund të reagimit, ish-polici shpreh ngushëllime për familjen e efektivit të ndjerë Enea Mekolli dhe uron shërim të shpejtë për kolegun e plagosur, ndërsa kërkon ndryshime rrënjësore në ligjin dhe rregulloren e Policisë së Shtetit. Ai deklaron se është i gatshëm të japë dëshmi publike dhe të përballet me çdo drejtues policie që kundërshton pretendimet e tij, duke këmbëngulur se problematikat që ka ngritur janë reale dhe të njohura nga shumë efektivë që kanë shërbyer në terren.
REAGIMI I BYLYKUT
Një tragjedi që pritej…
Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit në Maliq, po ju marr disa minuta kohë për t’ju treguar se si funksionon një pjesë e anës së errët të sistemit policor.
Nuk po ju flas si një qytetar që jep thjesht një mendim, por si një ish-oficer policie që ka marrë pjesë disa herë në operacionet për kapjen e Violand Braçellarit. Lidhur me ngjarjen konkrete nuk mund të flas për rrethanat e saj, sepse nuk e di saktësisht se si ka ndodhur dhe nuk dua të merrem me fjalë portalësh, por mund të tregoj atë që kam përjetuar vetë gjatë viteve të shërbimit.
Po e shkruaj këtë për të përfaqësuar shumë efektivë policie që nuk kanë mundësi të flasin publikisht për problemet, stresin, rreziqet dhe presionet që përballojnë çdo ditë.
Kam shërbyer në Komisariatin e Maliqit nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe kam marrë pjesë në disa operacione për kapjen e këtij personi. Në shumicën e rasteve, grupet e kontrollit përbëheshin nga 5-7 punonjës policie, shpesh pa mjete të mjaftueshme mbrojtëse (jelekë antiplumb).
Ndërhyrjet me mbështetjen e FNSH-së apo RENEA-s ishin të rralla. Pjesa më e madhe e operacioneve kryhej nga efektivët e Komisariatit Maliq, ndonjë agjent i Drejtorisë Vendore dhe punonjës të Forcës “Shqiponja”. Informacionet për rrezikshmërinë ishin të shumta dhe të gjithë e dinim rrezikshmërinë e personit që kërkonim, por urdhrat ishin të prerë: “Duhej të shkonim në kontroll”. Në fakt, duhej të luanim me vdekjen.
Shpesh grupi përbëhej nga vetëm një ose dy efektivë që mbanin armë automatike, ndërsa pjesa tjetër ishte e pajisur vetëm me pistoleta. Madje ka pasur raste kur gjatë lëvizjeve në terren merrnim shkopinj të improvizuar për t’u mbrojtur nga qentë, pasi udhëzimet ishin që të shmangej përdorimi i armëve edhe në situata të tilla.
Një nga arsyet pse operacionet zhvilloheshin me kaq pak forca ishte edhe mungesa e mjeteve logjistike, pasi kishte mungesë karburanti dhe ai shpërndahej me limit, ndërsa automjetet e drejtuesve kishin “punë më të rëndësishme”. Shpesh përdorej vetëm një automjet, të cilit mund t’i mungonin edhe frenat. Kur kishim dy makina dhe bëheshim 9-10 policë, e konsideronim veten me fat. Dronat as që mund të imagjinoheshin.
Po jap vetëm një shembull.
Një ditë, bashkë me katër kolegë, konstatuam disa bimë kanabisi në një përrua. Njoftuam eprorët dhe urdhri ishte të qëndronim aty deri në mbrëmje, me shpresën se do të vinte personi që i kultivonte. Pritej Violandi.
Ishte një urdhër vetëm me gojë dhe të gjithë e dinim se rreziku ishte i madh. Në polici ndodh shpesh që urdhrat të mos shkruhen, sepse disa janë aq “të aftë” sa të mos lënë gjurmë për përgjegjësitë e tyre.


