Vrasja e efektivit të Shqiponjave, Berisha një minutë heshtje gjatë konferencës: Enea Mekolli ra dy herë dëshmor, i vëllai i vdiq…

Aktualitet

Vrasja e efektivit të Shqiponjave, Berisha një minutë heshtje

Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët ka shprehur ngushëllimet edhe për efektivin që u vra në Maliq, Enea Mekolli.

Ai u shpreh se Mekolli pas vdekjes së vëllait të tij, ai ra dy herë dëshmor.

“Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve, të afërmve të dëshmorit të kombit, Enea Mekolli, komunitetit të Maliqit.

Të dënoj me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar, i sponsorizuar nga shteti i lidhur këmbë e kokë me krimin.

Enea Mekolli ishte një i ri idealist, i cili pasi vëllai i tij në polici ndahet nga jeta për shkak të një sëmundje, kërkon të vazhdojë misionin e të vëllait, sigurimin e jetës, veprimtarisë, ligjit të qytetarëve shqiptarë.

Në këtë aspekt, ai është dy herë dëshmor. Dhe familja e tij është një familje me kontribute shumë të mëdha për sigurinë e qytetarëve, jetës, veprimtarisë, rendit, ligjit të qytetarëve shqiptarë.

Por, aq sa është e dhimbshme vrasja mizore nga një dorë kriminale e policit në detyrë, aq kriminale e shëmtuar është qëndrimi i narkoshtetit ndaj vrasësit, i cili kishte 9 vite në kërkim, gjoja në kërkim, dhe që financohej nga fonde shtetërore për të ndërtuar stalla, konaqe, ngrehina, mbarështuar bagëti sikur të ishte një fermer i nderuar.

Vrasja e Enea Mekollit dëshmon në mënyrën më të qartë se rendi, ligji, siguria në këtë vend është në dorë të krimit. Është në dorë të kriminelëve. Vrasësi i Enea Mekollit nuk mund të qëndronte 9 vite në kërkim, të mbarështonte bagëti dhe stalla pa përkrahjen e fortë të pushtetit.

Dhe siç dëshmojnë dokumentet, ajo përkrahje ka ardhur edhe me financime falas ndaj veprimtarive të tij. Sot, jeta e çdo shqiptari është në duart e krimit dhe kjo për faktin e vetëm se qeveria është e lidhur këmbë e kokë me krimin. Ndaj dhe kjo është një ngjarje tmerrësisht tronditëse. U vra në krye të detyrës. U vra në zbatim të ligjit”, u shpreh Berisha.

ME TE LEXUARAT