Vetëdorëzohet në polici i kërkuari nga SPAK, transportonte drogë nga Brazili dhe Ekuadori (EMRI)

Nazmi Shahini, i njohur edhe me mbiemrin Drazhi, është vetëdorëzuar në polici, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.
Arrestimi i tij u bë në zbatim të masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme.
Sipas SPAK, grupi kriminal ku dyshohet se bënte pjesë Shahini ka vepruar gjatë viteve 2020–2021, duke trafikuar rreth 8.1 tonë lëndë narkotike, kryesisht kokainë dhe kanabis.
Sipas hetimeve, droga transportohej nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt Italisë, Belgjikës, Holandës, Spanjës dhe vendeve të tjera evropiane.
Hetimet për këtë grup kriminal janë zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese ndërkombëtare.


