Vajza 12-vjeçare përdhunohet nga babai, nëna dhe 6 fëmijët e tjerë përzehen nga shtëpia, shteti hesht

Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Sheqishtë të Fierit, ku një vajzë vetëm 12 vjeçe ka denoncuar përdhunimin sistematik nga babai i saj, Zamir Meta. Sipas dëshmisë, abuzimi ka nisur në moshën 5-vjeçare dhe ka vijuar edhe gjatë kohës që familja jetonte në Gjermani.
Meta është arrestuar dhe po hetohet për veprat penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe “Marrëdhënie seksuale me persona në gjini”, të parashikuara nga neni 100 dhe 106/a i Kodit Penal.
Pas denoncimit, vajza është marrë në mbrojtje në një institucion në Tiranë. Ndërkohë, nëna dhe 6 fëmijët e tjerë janë përballur me kërcënime nga komuniteti. Pronari i shtëpisë ku jetonin i ka nxjerrë jashtë, ndërsa pronarja i ka kanosur me fjalët: “Keni dy ditë kohë. Do derdhet gjak.”
Megjithëse Kodi Penal parashikon deri në 3 vite burg për kërcënim (neni 102) dhe ligji për dhunën në familje detyron policinë të lëshojë urdhër mbrojtjeje, në këtë rast nuk është marrë asnjë masë. Moszbatimi i këtij detyrimi përbën shpërdorim detyre (neni 248), por asnjë zyrtar nuk është proceduar.
Rasti ka nxitur reagime të forta publike, duke ngritur pyetje serioze mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, mbrojtjen e viktimave dhe nevojën për ashpërsim të dënimeve për abuzuesit seksualë ndaj fëmijëve.


