‘Ulje-ngritjet’ e çmimeve të naftës/ Ja me sa lekë për litër tregtohet aktualisht

Nafta ditën e sotme, në pikat e karburantit me pakicë, është tregtuar me çmim deri në 214 lekë për litër. Në raport me ditën e djeshme çmimi i naftës është ulur me 5 lekë për litër.
Pas një stabilizimi në çmime, shtrenjtimi i naftës u rikthye në tregun e pakicës nga mesi i muajit korrik. Në këtë periudhë nafta arriti në nivelet e 198 lekë për litër nga 188 lekë për litër që tregtohej më parë.
Pas kësaj brenda 7 ditësh çmimi i naftës u rrit edhe me 8 lekë për litër duke arritur në nivelin e 206 lekëve për litër. Ndërsa çmimi i benzinës mbeti i pandryshuar, duke vijuar të tregtohet me 189 lekë për litër.
Rikthimi i shtrenjtimit të naftës u ndikua nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, çka solli një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës në bursat e huaja.
Përshkallëzimi i sulmeve risolli bllokime për kalimin e anijeve në kanalin e Hormuzit, përmes së cilit kalon 3/5 e prodhimit botëror. Në këtë periudhë çmimi i naftës “brent crude” kulmoi më 23 korrik, duke arritur në nivelin e 100 USD për fuçi.
Ditën e sotme në bursa çmimi i naftës ka arritur 83 USD për fuçi, nga 90 USD për fuçi që arriti më 29 korrik./Monitor


