U dëbua pas dënimit për trafik droge, shqiptari tenton të hyjë me pasaportë fallco në Britani

Një shqiptar është kapur nga policia britanike, pasi ka tentuar të hyjë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm disa javë pasi ishte dëbuar nga shteti britanik, duke u deportuar në Shqipëri.
Shqiptari kishte vuajtur në Mbretërinë e Bashkuar një dënim me 20 muaj burg për kultivimin e kanabisit, teksa në tentativën për të hyrë sërisht ilegalisht është kapur nga oficerët e emigracionit të Home Office në një goditje të madhe mbarëkombëtare të ekzekutuar këtë javë.
“Daily Mail” raporton se stafi i Home Office punoi me Shërbimin Policor të Irlandës së Veriut për të ndaluar shqiptarin, i cili udhëtonte me një autobus nga Dublini në Belfast, pasi kishte udhëtuar me një pasaportë të rreme greke nga Shqipëria më herët atë ditë.
Ekipi kishte marrë informacione nga shërbimet inteligjente rreth dy shkelësve të mundshëm të emigracionit, të cilët sapo kishin hipur në një autobus në kryeqytetin irlandez që shkonte në veri.
Një orë përpara se ata të ndaloheshin, kontrollet zbuluan se njëri prej tyre ishte anëtar i një bande të kultivimit të kanabisit, i cili ka qëndruar 20 muaj pas hekurave në Britaninë e Madhe.


