Turizmi nën pritshmëri: Sezoni veror 2025 më i dobët se ai i një viti më parë

Ndryshe nga optimizmi i fillimit të vitit, operatorët turistikë tashmë po përballen me një realitet më të zymtë. Rezervimet individuale për korrik dhe gusht janë dukshëm më të ulëta, veçanërisht në jug, nga Vlora në Sarandë. Diaspora dhe pushuesit nga Kosova, që tradicionalisht dominojnë sezonin, këtë vit janë më pak prezentë.
Sipas Rrahman Kasës, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, “Qershori ka qenë i dobët, përjashto zonat si Shëngjini dhe Velipoja, ku prania e kosovarëve e ka mbajtur nivelin.
Sipas operatorëve turistikë, këtë sezon janë evidentuar zhvillime të pabarabarta në performancën e plazheve shqiptare.
Teksa disa zona kanë mbajtur një ritëm të qëndrueshëm falë frekuentimit nga Kosova, të tjera po përballen me rënie të ndjeshme të rezervimeve, sidomos për pushuesit individualë.
Shëngjini dhe Velipoja mbeten ndër të vetmet destinacione me prani të fortë të pushuesve nga Kosova, duke ruajtur një nivel të qëndrueshëm krahasuar me verën e kaluar.
Ndërkohë, zona më problematike për këtë sezon, sipas të dhënave të grumbulluara nga agjencitë dhe hotelet, rezulton të jetë Vlora dhe Saranda, ku rezervimet individuale për qershor dhe korrik janë më të ulëtat krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Këto dy qytete, që dikur ishin ndër më të kërkuarat në jugun e vendit, po humbasin terren për shkak të një sërë faktorësh: zhvillime infrastrukturore të papërfunduara, zhurma nga ndërtimet, mungesë ujë të pijshëm në disa zona dhe vlerësime gjithnjë e më të dobëta nga turistët ndërkombëtarë.
Golemi, ndonëse përballet me probleme serioze me mungesën e ujit, arrin ta mbajë nivelin falë turizmit të organizuar, por edhe aty rezervimet individuale janë më të dobëta se vjet.
Sipas operatorëve, turet kulturore të vjeshtës mund të kompensojnë pjesërisht ecurinë e dobët të verës. “Në total, viti 2025 mund të dalë më mirë se 2024, por rritja do të jetë shumë më e ulët nga ajo që prisnim,” – thotë Kasaj.