Trafikonin emigrantë drejt Greqisë për 2 mijë euro, policia arreston 2 persona (EMRAT)

Dy persona kanë rënë në pranga të policisë pasi transportonin drejt kufirit me Greqinë emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.
Të arrestuar janë Ermir Merdanaj 42 vjeç, banues në Vlorë dhe Sofokleo Gogaj 43 vjeç banues në Gjirokastër.
Merdanaj dhe Gogaj trafikonin emigrantë të paligjshëm në drejtim të Greqisë nga pika kufitare Kakavijë kundrejt pagesave 1000-2000 euro për person.
“Gjirokastër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Delivery”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitim, të emigrantëve nga vendet e treta.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit vë në pranga 2 shtetas të implikuar në transportimin e kundërligjshëm të emigrantëve.
2 të arrestuarit e kryenin transportin nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, kundrejt 1000-2000 euro/person, nëpërmjet PKK Kakavije.
Sekuestrohen 2 automjete, 2 celularë dhe një shumë eurosh.
Në kuadër të një procedimi penal të ndjekur nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 2 shtetasve të përfshirë në dhënien ndihmë emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht, kufijtë, drejt shteteve të BE-së, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit “Delivery", arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. M., 42 vjeç, banues në Vlorë;
-S. G., 43 vjeç, banues në Gjirokastër.
Nga hetimet rezultoi se 2 shtetasit e kryenin këtë veprimtari kriminale, nëpërmjet PKK Kakavije, kundrejt pagesave 1000-2000 euro/person.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme”, raporton policia.

