Arrestohet 52-vjeçari për ndërtim pa leje e ndotje lumi në Tiranë, bashkëpunëtori në arrati

Policia e Tiranës ka ndërmarrë një operacion në fshatin Mushqeta, pranë lumit Zhullima, ku u zbulua një objekt që po ndërtohej pa leje.
Në këtë zonë u hodhën edhe materiale inerte që ndotën mjedisin dhe penguan rrjedhën natyrore të lumit.
Si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve nga Komisariati Nr. 1, u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., 52 vjeç, ndërsa bashkëpunëtori i tij, shtetasi K. G., 47 vjeç, është shpallur në kërkim. Policia vijon punën për kapjen e tij.
Materialet e hetimit janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme lidhur me veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.


