Shtyhet sërish gjyqi mes Veliajt dhe Ols Dados në Gjykatën Administrative! Kryebashkiaku: Unë pa punë jam, kështu që…

I shoqëruar nga forcat e policisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mbërriti në ambientet e Gjykatës Administrative, ku do mbahej seanca e radhës gjyqësore mes tij dhe prokurorit të Posaçëm, Olsi Dado. Megjithatë, avokati i tij, Plarent Ndreca, nuk është paraqitur, pasi ka njoftuar Gjykatën se ndodhet me fëmijën e tij në urgjencë.
Për këtë arsye, seanca u shty e po ashtu, për t’u dhënë kohë palëve të shqyrtojnë kërkesën e shoqatës “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”, e cila ka kërkuar të përfshihet si palë në procesin gjyqësor. Shoqata i është drejtuar Gjykatës Administrative me kërkesën që të shpallë të pavlefshëm dekretin për emërimin e Ols Dados si prokuror në vitin 2008. Sipas përfaqësuesve të saj, çështja ka interes të gjerë publik, pasi lidhet me integritetin e sistemit të drejtësisë, një prej objektivave kryesorë të veprimtarisë së kësaj organizate.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku kërkon anulimin e dekretit presidencial me të cilin Ols Dado u emërua prokuror në vitin 2008, duke argumentuar se ai nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Palë e paditur në këtë proces është edhe Presidenca, institucioni që në atë kohë, nën drejtimin e Bamir Topit, dekretoi emërimin e Ols Dados në detyrën e prokurorit. Për shkak të mungesës së avokatit të Veliajt, gjykata vendosi shtyrjen e seancës më 24 korrik.
Pjesë nga komunikimi në Gjykatën Administrative:
Veliaj: Dua të deklaroj se pa praninë e avokatit nuk mund të vazhdohet seanca.
Avokati i Ols Dados: E lë në vlerësim të Gjykatës.
Gjykata: Në kuadër të mbrojtjes efektive e shtyjmë seancën për datën 24 korrik, ora 09:00.
Veliaj: Unë pa punë jam, kështu që…


