Shtatë identitete dhe 4 vite arrati, kapet shqiptari i dënuar në Itali, ekstradohet drejt Romës

Katër vite arrati, shtatë identitete të ndryshme dhe një dokument i falsifikuar nuk mjaftuan për ta fshehur nga autoritetet. 42-vjeçari shqiptar me inicialet D.M.A., i dënuar në Itali për një seri vjedhjesh, është ekstraduar drejt shtetit fqinj, ku do të vuajë një dënim prej 5 vitesh, 9 muajsh e 5 ditësh burg, si dhe një gjobë prej 1,640 eurosh.
Mediat italiane raportojnë se burri mbërriti në aeroportin “Fiumicino” të Romës më 12 gusht, me një fluturim nga Rinasi, nën shoqërimin e personelit të Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë. Pas përfundimit të procedurave, ai iu dorëzua autoriteteve italiane dhe u transferua në burgun e Viterbos.
Kërkimi ndaj tij kishte nisur që në vitin 2022, kur Prokuroria e Pordenones kishte nxjerrë një vendim për bashkimin e dënimeve, por ai nuk mund të ekzekutohej pasi 42-vjeçari nuk gjendej.
Hetuesit nisën të rindërtonin lëvizjet e tij dhe gjurmët çuan në një zonë malore në lindje të Shqipërisë, jo shumë larg kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Më 11 mars, shqiptari u identifikua dhe u ndalua nga autoritetet shqiptare në portin e Durrësit. Pas disa muajsh procedurash, më 12 gusht ai u dorëzua te autoritetet italiane. Operacioni u realizua falë bashkëpunimit mes policive të dy vendeve dhe zyrave të Interpolit në Romë dhe Tiranë.
Grabitjet në zonat turistike të Italisë
Sipas të dhënave të publikuara, vjedhjet për të cilat ai është dënuar janë kryer gjatë periudhës 2013–2016.
Bëhet fjalë për gjashtë vjedhje në Lignano Sabbiadoro, në provincën e Udines, dhe në Caorle, në zonën e Venecias. Objektivat kryesore ishin shtëpi pushimi dhe dhoma hotelesh, veçanërisht në zona turistike ku gjatë verës kishte një fluks të madh vizitorësh.
Dosja përfshin edhe një vjedhje të kryer në një banesë në Romë në shtator 2015.
Shtatë emra për t’iu shmangur drejtësisë
Një nga elementët që e bëri të vështirë identifikimin e shqiptarit ishte përdorimi sistematik i identiteteve të ndryshme.
Autoritetet italiane kanë dokumentuar të paktën shtatë pseudonime të përdorura prej tij gjatë viteve. Në vitin 2016, kur u ndalua në Caorle, karabinierët i gjetën një kartë identiteti rumune të falsifikuar, çka solli edhe një procedim të veçantë për falsifikim dokumentesh.
Pikërisht përdorimi i kaq shumë identiteteve e komplikoi edhe procesin e verifikimit, pasi autoritetet duhej të siguroheshin se personi i arrestuar në Shqipëri ishte i njëjti individ ndaj të cilit ishte dhënë vendimi i drejtësisë italiane.
Pas katër vitesh arrati, historia e tij përfundoi me ekstradimin në Itali, ku tashmë duhet të përballet me pjesën e mbetur të dënimit.


