Nëna për herë të parë në moshën 62-vjeçare/ Gruaja në Argjentinë realizon ëndrrën pas menopauzës

Një 62-vjeçare nga Argjentina është bërë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë djalin e saj në një spital të provincës së Buenos Airesit.
Mabel Frias lindi më 12 gusht në spitalin “San Felipe”, në qytetin San Nicolás. Djali i saj, David, erdhi në jetë përmes lindjes cezariane dhe peshonte 2.75 kilogramë. Sipas nënës, foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore, megjithëse pas lindjes qëndroi për disa orë nën kujdesin intensiv neonatal.
Frias kishte kaluar prej vitesh në menopauzë, ndërsa shtatzënia u arrit përmes fertilizimit in vitro me vezë të dhuruara.“Gjithmonë kam dashur të bëhem nënë. Nuk u dorëzova kurrë”, tha 62-vjeçarja për mediat argjentinase, duke treguar se kishte vendosur t’i nënshtrohej trajtimit për të realizuar dëshirën e saj shumëvjeçare.
Për shkak të moshës, shtatzënia u konsiderua me rrezik të lartë, por obstretja Romina Ruffini, e cila e ndoqi gjatë gjithë shtatzënisë, tha se ajo përparoi pa komplikacione.
Pas lindjes, Frias u bëri thirrje grave që ndodhen në menopauzë dhe dëshirojnë të bëhen nëna të mos heqin dorë nga ëndrra e tyre.
“Mos u dorëzoni. Menopauza nuk është më një pengesë. Shkenca ka bërë shumë përparim”, u shpreh ajo.
Mediat argjentinase raportojnë se nuk ka të dhëna zyrtare për moshën më të madhe në të cilën një grua është bërë nënë në Argjentinë. Ndërkohë, në vende të tjera janë regjistruar raste të lindjeve në mosha edhe më të mëdha përmes riprodhimit të asistuar.
Mes rasteve të njohura janë rumunja Adriana Iliescu, e cila u bë nënë në moshën 66-vjeçare në vitin 2005, dhe spanjollja Maria del Carmen Bousada de Lara, e cila lindi binjakë pak para se të mbushte 67 vjeç.


