“Shqipëria digjet, qeveria me pushime”, aktivistja nga protesta: Rama t’i hapë rrugë ndryshimit!

Protesta para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e 65-të.
Qytetarët e mbledhur në protestën e 65-të në Sheshin “Skënderbej” vijuan edhe këtë të martë manifestimin e tyre kundër qeverisë, duke përcjellë mesazhe përmes pankartave dhe thirrjeve publike.
Me parulla në duar, protestuesit theksuan se do ta vazhdojnë protestën deri në arritjen e objektivave të tyre, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen.
Si çdo protestë tjetër edhe protesta e sotme nisi me thirrje të forta kundër qeverisë. Aktivistja Etleva Merko, gjatë fjalës së saj, akuzoi pushtetin për keqmenaxhim dhe korrupsion, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ajo u shpreh se, ndërsa vendi po përballet me zjarre dhe problematika të shumta, fondet publike janë shpërdoruar dhe drejtuesit e institucioneve ndodhen me pushime.
“Ndërkohë që Shqipëria po digjet, fondet nuk janë, u harxhuan dhe pushtetarët kanë nisur pushimet. Pensionistët dhe hallexhinjtë janë në shesh. Në cilin vend të botës një qeveri përballet me kaq shumë akuza për korrupsion dhe nuk jep dorëheqjen? Vetëm në Shqipëri ndodh kjo”, deklaroi ajo.
Qytetarja theksoi se vendi përballet me probleme serioze në drejtësi, arsim dhe shëndetësi, duke i bërë thirrje kryeministrit të largohet nga detyra.
“Rama, jep dorëheqjen dhe hapu rrugë ndryshimeve që presin shqiptarët”, u shpreh protestuesja.
“Nuk dorëzohemi”, “Reflekto dhe dorëhiqu”, “Shpresa nuk vdes kurrë” dhe “Shqipëri e re” ishin disa nga sloganet që u shfaqën gjatë tubimit.
Përveç kërkesës për largimin e qeverisë, pjesëmarrësit kërkuan edhe ndryshim të sistemit politik, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.


