Shpëtohen mrekullisht katër turistët, mjeti lundrues u përfshi nga flakët në Ksamil

Katër shtetas gjermanë janë evakuuar në kohë nga një mjet lundrues që u përfshi nga flakët, në zonën e “Pemës së Thatë” në Ksamil.
Ndërhyrja e shpejtë e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare bëri të mundur nxjerrjen e tyre të sigurt në breg, ndërsa fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk pësoi dëmtime.
Njoftimi i policisë:
Ksamil/Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, ndërhyrje në kohë për të ndihmuar 4 shtetas gjermanë, pasi mjeti me të cilin ata lundronin u përfshi nga flakët.
Pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Pema e Thatë”, në Ksamil, një mjet lundrues ishte përfshirë nga flakët në pjesën e brendshme të tij, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, të cilat ndodheshin në zonë, janë nisur drejt vendngjarjes.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të punonjësve të Policisë, u lokalizua mjeti lundrues dhe 4 shtetasit gjermanë që ndodheshin në bordin e tij u evakuuan dhe u transportuan me mjetin e Policisë, drejt bregut.
4 shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar dëmtime fizike.
Ata falënderuan punonjësit e Policisë që ndërhynë në kohë për t’i ndihmuar.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.


