Samiti i NATO-s që do organizohej vitin tjetër në Shqipëri vihet në pikëpyetje, shkak shpenzimet e ulëta për mbrojtjen

NATO po shqyrton mundësinë që të mos organizojë samitin e saj vjetor vitin e ardhshëm në Shqipëri, për të ulur tensionet me presidentin amerikan Donald Trump, një kritik i shpeshtë i aleancës, si dhe për të shmangur vëmendjen ndaj faktit se vendi pritës Shqipëria, është një nga anëtarët me shpenzimet më të ulëta për mbrojtjen.
Bloomberg shkruan se Shqipëria ka qenë një nga vendet që ka shpenzuar më pak për mbrojtjen brenda NATO-s, duke mos arritur deri së fundmi objektivin afatgjatë për të shpenzuar të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Sipas Bloomberg, diskutimet për heqjen dorë nga samitet vjetore janë intensifikuar këtë javë, ndërsa liderët e NATO-s janë mbledhur në Ankara, sipas personave të njohur me bisedimet. Trump tha se kishte shkuar në kryeqytetin turk vetëm për shkak të marrëdhënies së tij të ngushtë me presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe, gjatë qëndrimit të tij, e kritikoi sërish aleancën ushtarake, duke vënë në dyshim rëndësinë e saj.
Kritikat e vazhdueshme të Trump ndaj NATO-s kanë shtuar mundësinë që samiti i vitit të ardhshëm, i planifikuar të mbahet në Shqipëri, të mos zhvillohet, thanë burimet, të cilat folën në kushte anonimiteti pasi diskutimet janë konfidenciale.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dëshiron të ruajë zhvillimin e samiteve çdo vit për ta mbajtur aleancën në qendër të agjendës globale, thanë burimet. Ai është përpjekur gjithashtu të bindë Trump duke theksuar rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare.
Deklarata përfundimtare e samitit në Ankara, që pritet të miratohet nga liderët të mërkurën, nuk përmban asnjë referencë për samitin e ardhshëm, sipas një personi të njohur me tekstin.
“Se kur do të zhvillohet Samiti, kjo është ende në diskutim”, deklaroi për Bloomberg TV zyrtari më i lartë ushtarak i NATO-s, Giuseppe Cavo Dragone.


