Rrezikuan të mbyteshin në det, përkeqësimi i motit “i zë në befasi”, Policia Kufitare shpëton turistet në Palasë

Gjatë patrullimit në sektorin e Palasës, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare konstatuan 3 shtetase që kishin dalë në det me kanoe dhe, për shkak të përkeqësimit të motit dhe kushteve të vështira në det, rrezikonin të mbyteshin.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke u shkuar në ndihmë dhe duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, pa rrezik për jetën.
Të tre shtetaset ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan punonjësit e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për ndërhyrjen në kohë dhe ndihmën e dhënë.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare apelojnë për të gjithë pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë kushtet atmosferike dhe detare dhe të shmangin daljen në det kur ato paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.


