Rradhë kilometrike! Protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës: Nuk ndalemi (VIDEO)

Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke vijuar protestën e 15-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Të pajisur me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola me mesazhe kundër qeverisë, qytetarët janë zhvendosur nga zona e Kryeministrisë drejt akseve kryesore të kryeqytetit. Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, zgjedhje të lira, luftë kundër korrupsionit dhe më shumë llogaridhënie nga institucionet shtetërore.
Në deklaratat e tyre, protestuesit kërkuan lëshimin e urdhër-arresteve për politikanë të korruptuar, duke theksuar se mbështesin institucionet e drejtësisë, por presin prej tyre veprime konkrete.
“Thirrja shkon për SPAK, të veprojë para se populli shqiptar t’ju rrethojë. Nesër do të rrethoheni në mënyrë paqësore nga qytetarë e nuk do të dilni nga SP[AK pa lëshuar urdhër arreste për politikanët e korruptuar. Ne ju mbështesim, por nëse nuk veproni, do t’ju rrethojmë deri në urdhërarreste.
SPAK vepro! Ne jemi me ju”, thanë ata.
Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe se mobilizimi qytetar do të vijojë deri në arritjen e objektivave që kanë shpallur që në nisje të lëvizjes. “Nuk ndalemi” ishte një nga thirrjet më të dëgjuara gjatë marshimit, e shoqëruar me brohoritje kundër qeverisë.


