Reforma territoriale/ Divjaka i thotë “jo” shkrirjes, mbyllen dëgjesat me banorët

Komisioni i ngritur nga Këshilli Bashkiak Divjakë për përgatitjen e materialeve në kuadër të reformës territoriale ka përfunduar sot në mbrëmje dëgjesën e fundit publike në njësinë administrative Remas.
Dëgjesa është hapur nga këshilltari Said Ibrahimaj, i cili u ka kërkuar pjesëmarrësve të japin mendimin e tyre për reformën territoriale.
Më pas, kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, ka paraqitur gjetjet e komisionit dhe argumentet me të cilat, sipas tij, mbrohet Bashkia Divjakë nga shkrirja me Lushnjen.
Sipas Gorresë, Divjaka ka potencial ekonomik, hapësirë gjeografike dhe një popullsi që e rendisin atë nga vendi i 27-të deri në vendin e 31-të mes 61 bashkive.
Banorët e njësisë administrative Remas janë shprehur në mbrojtje të Bashkisë Divjakë. Ata i kanë bërë thirrje deputetes së zonës, Ana Nako, dhe drejtueses politike të qarkut Fier, Belinda Balluku, që të mos e votojnë propozimin për shkrirjen e Divjakës.
Dokumentacioni i përgatitur nga komisioni, së bashku me firmat e pjesëmarrësve, do të dërgohet në Kuvend për t’u shqyrtuar nga komisioni parlamentar dhe më pas do të kalojë për votim.


