BE rrit gatishmërinë e misionit detar në Detin e Kuq pas sulmeve të Huthive

Bota

BE rrit gatishmërinë e misionit detar në Detin e Kuq pas sulmeve

Bashkimi Evropian ka rritur nivelin e gatishmërisë së misionit të tij detar në Detin e Kuq, pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në rajon.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se anijet e misionit “Mburoja e Bashkimit Evropian” kanë rritur gatishmërinë, ndërsa vijojnë misionet e shoqërimit të anijeve tregtare. Vendimi vjen pas sulmeve të rebelëve Huthi në rajon, përfshirë sulmet ndaj Arabisë Saudite.

Kallas i cilësoi sulmet e Huthive si të papranueshme dhe tha se ato dëmtojnë ekonominë globale.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë me ministrin e Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, duke shprehur mbështetjen e BE-së për Riadin. Një ditë më parë, Bashkimi Evropian dënoi sulmet e Huthive të mbështetur nga Irani ndaj territorit saudit dhe shprehu “solidaritetin e plotë” me Arabinë Saudite.

Misioni detar evropian, i nisur në vitin 2024, synon të mbrojë anijet tregtare nga sulmet e rebelëve Huthi në Jemen. Aktualisht, misioni “Mburoja” përfshin tre anije ushtarake që operojnë për mbrojtjen e trafikut detar në Detin e Kuq.

ME TE LEXUARAT