Rasti që preku të gjithë – Zhduken 160 mijë dollarët e dhuruar për djalin autik dhe nënën e tij, denoncohet abuzimi

Rasti i nëna File dhe djalit me spektrin autik, Andi, preku zemrat e shqiptarëve gjatë muajit korrik. Nëna dhe djali i saj 19-vjeçar, teksa ishin duke u kthyer nga terapia e të riut, u prekën nga uji me piper dhe gazi lotsjellës gjatë protestës së 23 korrikut 2026 pranë Parlamentit në Tiranë.
File dhe i biri jetojnë në një godinë të amortizuar në lagjen “Ali Demi” dhe në vështirësi të madhe ekonomike, ndërsa babai i familjes kishte ndërruar jetë. Por duket se situata e tyre mori një kthesë të papritur pas bërjes publik të rastit, pasi shqiptarët u bënë bashkë për t’i ndihmuar ekonomikisht.
Në një GoFundMe, të hapur nga shoqata “Brandon Forever 22 Legacy”, u mblodh një shumë e konsiderueshme, plot 161,754 dollarë. Por duket se pas afërsisht dy muajsh, asnjë euro nuk ka shkuar te nëna dhe djali me spektrin autik
https://www.tiktok.com/@klajdcollaku4/video/7683859021052349729
Rasti është denoncuar nga TikTok-eri Klajdi Çollaku, i cili është një person i afërt me këtë familje. Ai ka denoncuar se shoqata “Brandon Forever 22 Legacy” nuk iu përgjigjet mesazheve të tyre, ndërsa i bën apel që të bëjë çdo gjë transparente.
Çollaku deklaron se, nëse nuk do të ketë një reagim, rasti do të denoncohet në polici.
Çollaku: Jam çdo ditë në kontakt me nënë Filen dhe Andin, duke i ndjekur hap pas hapi. Problemi i vetëm është se organizata që ka hapur GoFundMe-n nuk i përgjigjet asnjë lloj mesazhi dhe telefonate.
Nuk dua që të hedh akuza pa më kthyer ata përgjigje, pasi janë 160 mijë euro dhe ata duhet të bëjnë çdo gjë transparente, pasi miqtë dhe shokët tanë kanë hedhur lekë dhe nuk po dinë se ku po shkojnë. Nuk ka asnjë lloj transparence. Prandaj, ju lutem, ktheni mesazh e bëni çdo gjë transparente, për gjithë mundin e shqiptarëve që kanë dhuruar për nënë Filen dhe Andin.
Po presim një përgjigje, në të kundërt, çdo gjë do të denoncohet në polici.


