Pse më preke? Sherr mes adoleshentëve, plagosen tre prej tyre

Një prekje e rastësishme në shpatull dyshohet se është bërë shkak për përplasjen mes dy grupeve të rinjsh në Durrës, e cila përfundoi me tre persona të plagosur me thikë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në lagjen nr. 13, ku dy grupet e adoleshentëve po lëviznin në rrugë. Sipas burimeve, gjithçka nisi pasi njëri prej të rinjve preku pa dashje në shpatull një anëtar të grupit tjetër.
Reagimi i këtij të fundit me fjalët “Pse më preke?” çoi fillimisht në një debat verbal, i cili më pas u përshkallëzua në përleshje fizike dhe përdorimin e thikave.
Si pasojë e konfliktit, mbetën të plagosur tre të rinj, të moshave 18, 19 dhe 20 vjeç. Ata u transportuan në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku sipas burimeve mjekësore, dy prej tyre vijojnë të marrin trajtim në repartin e kujdesit intensiv, ndërsa 19-vjeçari është larguar nga spitali.
Policia ka identifikuar si autorë të dyshuar të plagosjes një 19-vjeçar dhe një 15-vjeçar, të cilët janë shpallur në kërkim. Hetuesit po punojnë gjithashtu për identifikimin e një personi tjetër që dyshohet se ka marrë pjesë në konflikt.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të përfshirë.


