Protestuesit vendosën karriget përpara Kryeministrisë, policia i largon së bashku me këpucët te shkallët e godinës

Policia ka larguar karriget e vendosura përpara Kryeministrisë, prej disa ditësh nga protestuesit që qëndrojnë aty edhe gjatë natës.
Paraditen e sotme, karriget janë hequr nga policia, së bashku me këpucët e vendosura te shkallët e godinës.
Protesta e qytetarëve vijon prej më shumë se 28 ditës, teksa mblidhen çdo ditë në shesh në orën 19:00.
Me pankarta në duar për dorëheqjen e qeverisë, ata nisin marshimin, për t’u stacionuar drejt Kryeministrisë, ku mbajnë dhjetëra fjalime dhe thirrjet kundër klasës politike.
Më pas qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës, një veprim për të cilin janë proceduar dhjetëra protestues në ditët e kaluara.
Organizatorët gjithashtu kanë bërë të njohura një sërë kërkesash, mes tyre dorëheqja e qeverisë aktuale, krijimi i një qeverie teknike dhe anulimi i disa ligjeve, që sipas tyre, prekin interesat kombëtare dhe ndikojnë keq në mjedis.


