“Protesta ka vrarë frikën”/ Pensionisti, në ditën e 65-të të revoltës: Rama kujton se Kosova është si Roskoveci!

Qytetarët vijuan edhe sot rezistencën e tyre popullore në ditën e 65-të në Tiranë, kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama dhe klasës së vjetër politike.
Nga sheshi “Skënderbej”, një nga pensionistët vlerësoi këtë frymë bashkimi të qytetarëve për mbi dy muaj, duke nënvizuar se po japin shpresë. Ai tha se partia e tyre është Shqipëria e Re dhe se frika është vrarë përfundimisht.
“Është vrarë frika përfundimisht dhe tani njerëzit shprehen lirisht. Falenderoj të gjithë protestuesit që vijnë këtu dhe na japin shpresë, të rinj e pensionistë, për entuziazmin që po japin këtu në këtë shesh. Protestuesit e kanë krijuar partinë e tyre, Shqipëria e re”, tha qytetari.
Sipas pensionistit, kryeministri Edi Rama po sulmon edhe Kosovën, duke kujtuar se ajo është si Roskoveci dhe fut hundët vend dhe pa vend.
Ai është kundër hapjes së Konsullatës së Serbisë në Shkodër.
“Habitem me këtë qeveri këtu që në këtë kohë të hapë ambasadë jugosllave në Shkodër, është të luash mendsh. Ndërkohë që mijëra trupa atje në Kosovë, varrezë masive, është të luash mendsh. Asnjë fjalë nuk thotë Rama për Bujanocin dhe Medvegjën.,
Ky kujton se Kosova është si Roskoveci, ky njeri nuk ka të drejtë të fusë turinjtë atje, është e çuditshme. Duke hapur konsullatë në Shkodër të Serbisë do të thotë të jesh kundër Kosovës, kur Serbia nuk e ka njohur ende Kosovën. Janë disa gjëra që nuk shkojnë fare, tallet Vuçiçi me kosovarët e shqiptarët atje”, përfundoi qytetari.


