Pronat e sekuestruara vlejnë mbi 2.4 miliardë lekë, publikohet katalogu

Aktualitet

Pronat e sekuestruara vlejnë mbi 2.4 miliardë lekë, publikohet

Pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara në të gjithë vendin janë publikuar në dy katalogë të rinj. Vlera e tyre shkon mbi 2.4 miliardë lekë, ndërsa një pjesë e tyre jepet me qira nën administrimin e shtetit.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar versionet e përditësuara të pronave të bllokuara me vendim gjykate. Këta katalogë u publikuan për herë të parë gjatë muajve shkurt dhe mars 2025, dhe tani janë përditësuar për të reflektuar të gjitha ndryshimet, zhvillimet dhe lëvizjet që kanë ndodhur gjatë vitit 2025, në kuadër të administrimit nga Agjencia.

Përditësimi i katalogëve synon rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies institucionale dhe garantimin e aksesit të hapur në informacion për qytetarët, institucionet dhe të gjitha palët e interesuara. Katalogët ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, statusin e tyre ligjor dhe mënyrën e administrimit nga AAPSK.

Sipas Agjencisë, vlera e pronave të sekuestruara është 2.4 miliardë lekë, ndërsa ajo e pronave të konfiskuara arrin 140 milionë lekë. AAPSK thekson se këto shifra janë referuese dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vlerën aktuale të tregut. Llogaritjet janë bazuar në dokumentacionin zyrtar dhe dosjet hetimore përkatëse.

Kujtojmë se një pjesë e këtyre pasurive jepet me qira, duke siguruar vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 200 milionë lekë të ardhura për buxhetin e shtetit.

ME TE LEXUARAT