Pas dosjeve në SPAK dhe sekuestrimit të dhjetëra pasurive, Ministria e Drejtësisë kërkon nga Franca ekstradimin e Ermal Beqirajt

Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e Ermal Beqirajt nga Franca, duke konfirmuar zhvillimin e raportit të një ditë më parë, sipas të cilës kërkesa për ekstradim nuk ishte dërguar ende pranë autoriteteve franceze.
Në një reagim zyrtar, Ministria bën me dije se firma për nisjen e kërkesës është hedhur sot dhe dokumentacioni është përcjellë pranë autoriteteve kompetente në Francë.
“Ministria e Drejtësisë bën me dije se, në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze, ka përcjellë sot pranë autoriteteve kompetente franceze kërkesën për ekstradimin e shtetasit Ermal Beqiraj, të përcjellë nga organi procedues, së bashku me dokumentacionin përkatës“, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas Ministrisë, vijimi i procedurës do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin francez dhe instrumentet ndërkombëtare në fuqi, ndërsa institucioni shqiptar do të vazhdojë të ndjekë procesin në bashkëpunim me autoritetet e të dy vendeve.
Një ditë më parë, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raportoi se, megjithëse Ermal Beqiraj ishte lokalizuar në Francë, procedurat formale për ekstradimin e tij nuk ishin nisur ende.
Ministria sqaroi gjithashtu se procedura e ekstradimit nis pasi prokuroria kompetente dorëzon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës.
Informacion mbi procedurat e ekstradimit
* Ministria e Drejtësisë njoftohet nga autoritetet kompetente për lokalizimin ose arrestimin e një personi në një shtet të huaj, si edhe për afatin brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa formale për ekstradim.
* Prokuroria kompetente paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës procedural.
* Drejtoria përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë verifikon dokumentacionin dhe ndërmerr veprimet për përkthimin e tij në gjuhën e shtetit të kërkuar ose në gjuhën e përcaktuar nga instrumentet ndërkombëtare.
* Pas përfundimit të përgatitjes së dosjes, Ministri i Drejtësisë nënshkruan kërkesën për arrestim provizor (kur është e nevojshme) dhe/ose ekstradim.
* Kërkesa dhe dokumentacioni u përcillen autoriteteve të shtetit të kërkuar në rrugë diplomatike, sipas procedurave ndërkombëtare.
* Për të përshpejtuar procedurën, dokumentacioni mund të transmetohet paralelisht edhe në rrugë elektronike ndërmjet autoriteteve kompetente.
* Kërkesa për ekstradim mbështetet në kërkesën e prokurorisë kompetente dhe në legjislacionin shqiptar, përfshirë Kodin e Procedurës Penale, ligjin për juridiksionin në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme.
* Afati për paraqitjen e kërkesës formale dhe dokumentacionit përcaktohet nga konventat ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa Evropiane për Ekstradimin, e cila parashikon afatet përkatëse (40 ditë sipas nenit 24 të Konventës për Ekstradimet) pas arrestimit ose ndalimit provizor.
* Ministria e Drejtësisë siguron që kërkesa të dërgohet brenda afateve ligjore dhe ndjek në vijim komunikimin me autoritetet e shtetit të kërkuar deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit.


