Të burgosurit shqiptarë do kthehen nga Britania Nigel Farage: Edi Rama ka pranuar vendimin!

Nigel Farage, lider i partisë ekstremiste të djathtë Reform UK, deklaroi në një konferencë se ka qenë në bisedime me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe se ky i fundit ka pranuar të rikthejë në Shqipëri të gjithë të burgosurit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Jam në bisedë me Edi Ramën nga Shqipëria, dhe mendoj se ai ka pranuar që do të marrë përsëri të gjithë të burgosurit shqiptarë në këtë vend, gjë që është mjaft pozitive,” tha Farage, sipas gazetës The Telegraph.
Kjo deklaratë vjen pas një debati të ashpër disa-ditor mes Farage dhe Ramës në rrjetet sociale, lidhur me numrin e shqiptarëve të dënuar në Britani dhe trajtimin e tyre.
Farage gjithashtu prezantoi një platformë politike me masa të ashpra kundër krimit, përfshirë një sistem “tre goditjesh” që parashikon burgim të përjetshëm për personat që kryejnë më shumë se tre krime të rënda.
Për të zgjidhur problemin e kapacitetit në burgje, ai propozoi ndërtimin e “burgjeve Nightingale” — një lloj burgu të përkohshëm, i frymëzuar nga spitalet e improvizuara gjatë pandemisë së Covid-19.
Ndërkaq, Edi Rama i është përgjigjur kritikave, duke i cilësuar komentet e Farage si propagandë kundër shqiptarëve.


