Ndeshja Shqipëri-Izrael/ Policia plan masash, ja rrugët që do të bllokohen

Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit, që do të zhvillohet më datë 03.06.2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.
Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 03.06.2026, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara, duke filluar nga ora 16:00, datë 03.06.2026, deri në përfundim të ndeshjes:
•Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food “Laguna”, pranë urës së ish-hotel Dajtit;
•Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
•Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
•Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
•Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;
•Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
•Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
•Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
•Te sheshi “Willson”, devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
-Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.


