“Ndërrova vend për krime kibernetike, jam në Durrës”/ Si u zbulua grupi i “tregut të nëndheshëm online”

SPAK ka kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me 6 vite burg të Shpend Sokolit, i akuzuar për “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nga institucionet ligjzbatuese partnere policia gjyqësore janë informuar se që nga nëntori i 2022, FBI po hetonte një treg të paligjshëm online me emrin Rydox. Për disa muaj në 2020, Rydox u hoq nga online, por u rihap në shtator 2020. Rydox bënte reklama në Raidforums, një forum online kriminal i njohur, që ofron shitjen e regjistrave të spam, mjeteve për t’i dërguar ato si dhe tutorialet e tyre.
Rydox po ashtu ofron shitjen e kredencialeve për tu loguar në llogaritë e emailave, llogaritë e-commerce dhe llogaritë e takimeve online. Bazuar në shqyrtimin e të dhënave të faqes online, përdoruesit kryesor të tregut online janë aktore të krimit kibernetik të cilët blejnë dhe shesin informacionet e identifikimit personal te viktimave(“PII”) apo informacione të tjera të kësaj natyre.
Rydox i referohet vetes si një “Treg i nëndheshëm online”. Në shkurt 2023, forcat e zbatimit të ligjit, në koordinim me autoritetet e një vendi tjetër, morën provën shkencore të një serveri, që shërbente për rydox.cc.
Bazat e të dhënave përfshinin informacion për mbi 18,000 llogari të përdoruesve të Rydox, duke përfshirë usernames dhe adresat e emailit, transaksione monetare virtuale, paketa të blera nga përdoruesi si dhe të dhëna të gjendura në këto paketa të blera nga përdoruesit, apo një link për një dosje (file), që presupozohet se përmbante të dhënat e blera. Nga analiza e bazës së të dhënave Rydox dhe vijimit të mëtejshëm të procesit ligjor, FBI ishte në gjendje të identifikonte tre administratorët e tregut Rydox.
Shpend Sokol, nga Kosova, ishte një nga zhvilluesit e faqes së internetit të Rydox, bashkëpronar i kompanisë shqiptare Scythe Labs. Së bashku me dy persona të tjerë, Ardit Kutleshi dhe Jetmir Kutleshi, ai bashkëpunonte për të kryer këtë aktivitet të p-aligjshëm, ndërsa ishin nën hetim nga FBI.
Në vazhdim të përgjigjes së kërkesës për ndihmë juridike, drejtuar autoriteteve të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë dërguar dokumentet dhe materialet e tjera proceduriale. Nga të dhënat e komunikimeve në aplikacionin Facebook rezulton se këto komunikime fillojnë nga data 30.05.2016, ku vërehet se si ka filluar marrëdhënia ndërmjet Ardit Kutleshit dhe Shpend Sokoli, dakordësisë për rolin e secilit dhe përfitimet që do të kishin në vazhdim nga bashkëpunimi i tyre.
Gjithashtu vërehet mënyra e veprimit në fillimin e ndërtimit të Rydox, programimit dhe ndërtimin e çdo funksioni të Rydox, që të bëhej funksional nga ana e Shpend Sokolit, sipas kërkesave të Ardit Kutleshit. Shihet qartë thotë SPAK se Shpend Sokoli kërkon marrjen e fitimeve materiale nga bashkëpunimi i tyre, si dhe përfitime të tjera për projekte që do të bëjnë së bashku./ Top Channel


