Avokatët e huaj takojnë Erion Veliajn në Durrës, Ndreca: Do ta çojmë çështjen në Gjykatën e Strasburgut

Aktualitet

Avokatët e huaj takojnë Erion Veliajn në Durrës, Ndreca: Do

Tre avokatë, mes të cilëve dy britanikë, Ben Brandon dhe Celia Marr, kanë takuar këtë të martë Erion Veliajn në ambientet e IEVP-së në Durrës. Takimi u bë i mundur vetëm sot pas miratimit dhe autorizimit nga ana e SPAK-ut.

Sipas avokatit Ben Brandon, ky ishte kontakti i tyre i parë me klientin, ku u bë një rezyme e të gjithë procesit ligjor. Mbrojtja bëri me dije se do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për të kundërshtuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, me qëllim caktimin e një mase më të butë që do t’i mundësonte atij vazhdimin e detyrës si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Për këtë çështje është angazhuar edhe një studio ligjore amerikane, avokatët e së cilës prasin ende autorizimin e SPAK-ut për të realizuar takimin.

Nga ana e tij, avokati Plarent Ndreca konfirmoi vendimin për dërgimin e dosjes në Strasburg dhe shprehu pritshmërinë që edhe avokatët amerikanë të marrin së shpejti lejen për kontakt.

Ndreca bëri me dije se mbrojtja do të atakojë çështjen e akuzuesit anonim si dhe do të kundërshtojë emërimin e prokurorit të çështjes, Olsi Dado, cilësuar prej tyre si antikushtetues.

“Kemi besim se do t’i fitojmë të gjitha çështjet, si rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë, rikthimin në krye të Bashkisë dhe do të vazhdojmë hap pas hapi me çështjet e tjera”, u shpreh Ndreca.

Deklaratat e plota:

Av. Benjamin Brandon:

Jemi këtu për të takuar Erionin, i cili, siç e dini, ndodhet në paraburgim prej më shumë se 18 muajsh. Ne e kemi përfaqësuar Erionin gjatë gjithë kësaj kohe, por kjo është hera e parë që na lejohet ta takojmë, pavarësisht kërkesave të përsëritura për ta bërë këtë. Megjithatë, jemi shumë mirënjohës ndaj autoriteteve që më në fund na lejuan të takojmë klientin tonë në paraburgim dhe kemi zhvilluar një takim shumë frytdhënës sot.

Ajo që kemi diskutuar lidhet me kërkesën që synojmë t’i paraqesim Gjykatës së Strasburgut, pra Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në emër të tij, për të kundërshtuar vazhdimin e paraburgimit. Shpresojmë që vendimet që do të merren nga gjykatat vendase në Shqipëri të përshpejtohen dhe të ecin përpara sa më shpejt të jetë e mundur, për të siguruar që ai të lirohet dhe t’i lejohet të vazhdojë jetën e tij të përditshme, jetën familjare, si dhe të ushtrojë funksionin e tij si kryetar i zgjedhur në mënyrë demokratike i Tiranës.

Av. Plarent Ndreca:

Kolegët nga Anglia kanë ardhur për t’u lejuar, për herë të parë, pas tetë muajsh kërkesash të vazhdueshme drejtuar Prokurorisë së Posaçme, të komunikojnë me z. Veliaj. Fatkeqësisht, edhe pse nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë proceduriale, është bërë e mundur vetëm pas një kohe kaq të gjatë që një pjesë e ekipit të huaj të vijë dhe të vizitojë Erionin. Duhet të keni parasysh se ekipi amerikan ende nuk është lejuar të vijë dhe ta vizitojë.

I gjithë takimi dhe diskutimi që zhvilluam sot me kolegët lidhet me aplikimin që do të bëjmë në Gjykatën e Strasburgut në lidhje me masën e sigurimit. Vërtet korrëm një fitore në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ktheu çështjen dhe shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë për rishqyrtimin e masës së sigurimit. Megjithatë, nuk janë pranuar të gjitha pikat që kemi kërkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe, pikërisht për këto pika, do t’i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut. Për këtë arsye është këtu edhe ekipi anglez i mbrojtjes.

Në lidhje me dy pikat e tjera që përmendët, sigurisht që i kemi ngritur. Sa i përket emërimit të z. Dado, kemi bërë të qartë se do të apelojmë vendimin e shkallës së parë, i cili nuk ishte një vendim në themel që rrëzonte kërkesën tonë, por një vendim që nuk pranonte legjitimimin tonë në këtë kërkesë. Kjo përbën një shmangie nga gjykimi i një çështjeje që ka jo vetëm interes juridik dhe ligjor për ne, si mbrojtës të z. Veliaj dhe për z. Veliajn si kryetar i Bashkisë, por edhe interes për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, i cili duhet të dijë nëse një prokuror në Prokurorinë e Posaçme, në këtë rast, është emëruar apo jo në mënyrë të ligjshme. Ky është një funksion që mbart një pushtet të deleguar nga Kushtetuta dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Kjo çështje do të vijojë derisa të marrim të drejtën, ashtu siç e kemi marrë gjithmonë kur kemi këmbëngulur dhe kemi trajtuar çdo element juridik të çështjes së Erionit.

Kemi ngritur çështje që lidhen me marrjen e dosjeve. U desh kohë, por i morëm dosjet. Kemi ngritur edhe çështjen e moskomunikimit me avokatët e huaj. Kaloi një kohë e gjatë, por më në fund u mundësua komunikimi me ta.

Në lidhje me çështjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë, e morëm edhe mandatin e kryetarit të Bashkisë. Kemi ngritur çështjen e masës së sigurimit. Kaloi një kohë e gjatë, por besoj se edhe kjo u fitua në Gjykatën Kushtetuese.

Ne do të ndjekim çdo element juridik deri në Gjykatën e Strasburgut, sepse jam i bindur se ky proces ka nisur i manipuluar nëpërmjet një kallëzimi anonim, për të cilin shumë shpejt do të bëjmë publike edhe elemente dhe fakte të tjera në lidhje me kallëzuesin.

Ajo që duhet thënë dhe që do ta përsërisim gjithmonë është se do të ndjekim çdo mjet juridik ankimi për ta çuar çështjen deri në fund dhe për ta fituar këtë betejë për z. Veliajn.

Kur pritet t’i drejtoheni Strasburgut dhe cila ishte gjendja e klientit tuaj?

Gjendja e klientit tonë është shumë e mirë. Ai është besimplotë, në gjendje shumë të mirë fizike dhe mendore. Është i qartë, shumë i qartë, për çështjen dhe betejën që ka bërë dhe e pret me qetësi.

Kërkesa në Gjykatën e Strasburgut duhet të depozitohet brenda katër muajve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por ne besojmë se do ta bëjmë shumë më shpejt, ndoshta në shtator, në fillim të muajit.

Cili është hapi i radhës, përveç Strasburgut?

Ne jemi në gjykim në themel dhe do të informoheni për çdo lëvizje që do të bëjmë edhe në këtë proces.

Gjithashtu, do t’i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut edhe për vendimin e Gjykatës Paraprake, i cili nuk i krijoi mundësinë z. Veliaj të njihej me çështjen, madje nuk i dha as mundësinë të kishte avokat në gjykimin paraprak. Po ashtu, do të paraqesim edhe një çështje tjetër që lidhet me pavlefshmërinë e akteve në Gjykatën Kushtetuese. Pra, do të ndjekim çdo hap juridik dhe ju do të informoheni për çdo veprim që do të ndërmarrim.

Çfarë i sjell mbrojtjes ekipi anglo-amerikan?

Sigurisht, ai sjell një vlerë të shtuar. Bëhet fjalë për eksperiencën e një ekipi të njohur nga Anglia në çështjet që lidhen me Gjykatën e Strasburgut. Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Strasburgun do t’i trajtojmë në bashkëpunim me kolegët nga Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët, fatkeqësisht, ende nuk kanë marrë lejen nga SPAK për t’u takuar me klientin e tyre.

ME TE LEXUARAT