Ministria e Shëndetësisë pezullon tenderin e Hemodializës

Aktualitet

Ministria e Shëndetësisë pezullon tenderin e Hemodializës

Ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu ka pezulluar procedurën për tenderin e hemodializës në 5 spitale rajonale dhe ka urdhëruar ngritjen e një grupi auditimi të posaçëm për të verifikuar të gjithë praktikën konçesionare.

Fituese ishte shpallur kompania ndërkombëtare me qendër në Suedi, Diaverum.

Por ngrirja e kësaj procedure, bashkë me shkarkimin e administratores së njësisë që e zhvilloi atë, Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Kujdesit Shëndetësor, kanë qenë firmat e para të ministres Spahiu.

Zhvillime këto, që kanë shkaktuar debate në seancën plenare të së enjtes mes ministres dhe deputetit demokrat Bardh Spahia.

“Mjafton të shohim një nga procedurat e tenderimit nga struktura e re. Bëhet fjalë për kontratën 4 -vjecare për shërbimin e hemodializës. Për një kontratë prej afro 60 milionë eurosh është paraqitur vetëm 1 ofertues dhe nuk ka pasur konkurrencë”, tha Spahia.

Në përgjigjen e saj nga foltorja e Kuvendit, Ministrja Spahiu bëri të ditur se procedura e tenderit është vënë në sitën e verifikimeve dhe se asnjë hap nuk do të hidhet përpara se të flasë grupi i auditimit të ngritur prej saj.

“Ato që the ti janë gënjeshtra. Do presim grupin e auditimit dhe do marrim vendimet e duhura. Një nga arsyet ishte hapi im i parë për të ngritur një grup auditimi ishte kjo, që ne, nëpërmjet OSHISH të mundohemi që atë ne e ofrojmë, pra që kemi kapacitete të mjaftueshme për ta ofruar sot ne si shtet, ta ofrojmë ne”, tha Spahiu.  

Pezullimi i ecurisë së procedurës do të jetë në fuqi deri në sqarimin e plotë të praktikës ligjore dhe financiare.

Tenderi në fjalë lidhet me vijimësinë e shërbimit të dializës në rrethe, i cili më herët ofrohej përmes kontratës së Partneritetit Publik Privat nga kompania DiaVita, shoqëri e blerë në vitin 2019 nga grupi suedez Diaverum.

ME TE LEXUARAT