Luçiana Kokaj sqaron rolin e Dritan Goxhajt: Nuk është pjesë e grupit koordinues, u propozua nga ne për të lexuar kërkesat

Luçjana Kokaj, banorja e Rrjollit e kthyer në një nga figurat më të njohura të protestave kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, ka deklaruar në një intervistë për Report TV se ultimatumet dhe kërkesat e lexuara një ditë më parë nga Dritan Goxhaj nuk janë produkt personal i tij, por përmbledhje e qëndrimeve të artikuluara nga protestuesit gjatë më shumë se tre javëve të tubimeve para Kryeministrisë.
Sipas Kokajt, pikat e paraqitura nga Goxhaj janë mbledhur dhe përpunuar nga grupi koordinues i protestës, i cili sipas saj përbëhet nga rreth 40 persona, me një përbërje fleksibël ku bashkohen vazhdimisht qytetarë të rinj. Ajo theksoi se vendimi që kërkesat të lexoheshin nga Dritan Goxhaj ishte një vendim konsensual i grupit, ndërsa sqaroi se vetë Goxhaj nuk është pjesë e këtij mekanizmi koordinues.
“Pikat që ka lexuar zoti Goxhaj kanë qenë kërkesa të artikuluara nga qytetarët në shesh. Ne thjesht kemi bërë një përmbledhje të tyre dhe i kemi kërkuar Dritanit t’i lexojë në emër të grupit koordinues”, u shpreh Kokaj, duke i cilësuar si të padrejta sulmet e kryeministrit ndaj Goxhajt.
Ajo tha se kërkesat e shpallura do të mbeten baza e lëvizjes, por formulimi i tyre do të pësojë përmirësime juridike dhe do të konsultohet me ekspertë dhe intelektualë që janë përfshirë në diskutimet mbi të ardhmen e protestës.
Kërkesat e shpallura përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, ndryshime kushtetuese të miratuara me referendum popullor, si dhe ruajtjen e kërkesave fillestare për anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, “Paktin e Maleve” dhe statusin e investimeve strategjike.
Në të njëjtën kohë, Report TV publikoi edhe planin politik të artikuluar nga Dritan Goxhaj, i cili parashikon shpërbërjen e sistemit aktual politik dhe ngritjen e një Asambleje Kombëtare Tranzicioni prej 101 anëtarësh të përzgjedhur me short, me mandat njëvjeçar dhe pa të drejtë kandidimi në zgjedhjet e mëvonshme.
Sipas këtij projekti, Asambleja do të kishte detyrë të emëronte një qeveri tranzicioni po përmes shortit, të hartonte një Kushtetutë të re dhe ta paraqiste atë për miratim me referendum popullor, përpara organizimit të zgjedhjeve të reja. Një vizion radikal për ndryshimin e sistemit, i cili sipas Goxhajt shpjegon edhe refuzimin e çdo negociate me qeverinë apo të krijimit të një force të re politike.
Ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 24-t, deklaratat e Kokajt hedhin dritë për herë të parë mbi ekzistencën dhe përmasat e grupit koordinues që menaxhon protestat, ndërsa zbulojnë se kërkesat e lexuara nga Goxhaj konsiderohen nga organizatorët si rezultat i një procesi kolektiv dhe jo si platformë personale e ish-ushtarakut.


