Lirimi i hapësirave në shkolla, nis aksioni kundër bizneseve në oborret e institucioneve arsimore në Shkodër

Duhej të ishin oborre ku fëmijët luanin, hapësira ku zhvillohej aktiviteti mësimor dhe territore që i përkisnin shkollës. Por në Shkodër, 40 mijë metra katrorë të institucioneve arsimore janë zënë ndër vite nga banesa, biznese, mure e ndërtime të ndryshme.
Prej kohësh, Bashkia Shkodër ka ndërmarrë aksionin për lirimin e territoreve të shkollave dhe prishjen e objekteve që kanë zënë hapësirat e destinuara për nxënësit.
Një prej rasteve konkrete ishte shkolla “Ali Laçaj”, ku oborri i institucionit ishte kthyer në parking automjetesh për një biznes.
Për drejtuesit e arsimit, kjo situatë krijon probleme të dyfishta: prek sigurinë e nxënësve dhe kufizon mundësinë për investime në shkolla.
Për banorët, zaptimi i hapësirave ka sjellë probleme jo vetëm për shkollat, por edhe për sigurinë e tyre.
Në institucionet arsimore ku hapësirat janë liruar, territoret po përshtaten për ambiente në shërbim të nxënësve.


