La vajzën 11-vjeçare vetëm në Qipro për të parë ndeshjen në Elbasan/ Nisin hetimet për babain

Policia në Qipro po heton një rast të dyshuar të neglizhencës së një të miture, pasi një vajzë 11-vjeçare u gjet e vetme në shtëpi, ku dyshohet se kishte qëndruar pa praninë e një të rrituri për dy ditë.
Policia u njoftua vonë mbrëmjen e kaluar dhe efektivët shkuan në banesën e familjes, ku gjetën vajzën pa asnjë të rritur.
Kur e pyetën se ku ndodhej babai i saj, 11-vjeçarja dyshohet se u tha se ai kishte udhëtuar jashtë vendit për të ndjekur një ndeshje futbolli dhe mungonte prej dy ditësh.
Sipas të dhënave që po hetohen, babai kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për ndeshjen mes Pafos FC dhe Dinamo City, e zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Elbasan, në kuadër të play-off-it të UEFA Conference League. Ekipi qipriot kishte organizuar edhe një udhëtim zyrtar për tifozët, me nisje nga Pafosi më 19 gusht.
Pas zbulimit të rastit, u njoftuan menjëherë Shërbimet e Mirëqenies Sociale, të cilat morën përsipër mbrojtjen dhe kujdesin për vajzën.
Ndaj babait po hetohet një çështje për keqtrajtim dhe neglizhencë të fëmijës. Hetimet vijojnë, ndërsa deri tani nuk është bërë e ditur nëse ai është kthyer në Qipro apo nëse është lëshuar urdhër-arrest ndaj tij.


