"Kujdes! Nga mesjava e tutje bëhuni gati..."Priten rrebeshe shiu? Meterologia bën parashikimin për këtë javë

Aktualitet

"Kujdes! Nga mesjava e tutje bëhuni gati..."Priten rrebeshe shiu?
Meteorologia e Metoalb, Lajda Porja, parashikoi në një lidhje direkte me gazetaren Esmeralda Mulaj kushtet atmosferike për ditët e ardhshme. Sipas saj, fillimi i javës do të karakterizohet nga temperatura të larta, ndërsa në fundjavë vendi do të përfshihet nga reshje shiu.

Megjithëse mëngjeset do të sjellin një ulje të lehtë të temperaturave, moti do të vijojë të mbajë karakteristika verore. Gjatë ditës së sotme, vlerat maksimale pritet të arrijnë në 35°C në qarkun e Beratit, ndërsa në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore temperaturat do të lëvizin nga 33 deri në 34°C.

Temperaturat më të larta të javës parashikohen të mërkurën dhe të enjten. Në Berat dhe Elbasan termometri mund të shënojë deri në 36°C, ndërsa në qytetet e zonës së ulët priten vlera nga 34 deri në 35°C. Në bregdet temperaturat do të jenë më të moderuara, në nivelet 32-33°C.

Sipas Porjas, reshjet do të shfaqen kryesisht në zonat lindore dhe juglindore gjatë ditëve të mërkurë, enjte dhe premte. Rrebeshet do të jenë më të pranishme në qarkun e Korçës dhe në Gjirokastër, ndërsa episode të izoluara shiu gjatë pasditeve mund të ketë edhe në Pogradec, Peshkopi, Kukës dhe Bulqizë.

“E mërkura, e enjtja dhe e premtja do të kenë rrebeshe shiu në të gjithë zonën lindore dhe do jetë kryesisht juglindja, të jetë qarku i Korçës ku do të ketë rrebeshe. Dhe Gjirokastra gjithashtu ku do të jenë më të dukshme, por presim që edhe zonat e verilindjes, Pogradeci, po ashtu dhe Peshkopia, Kukësi, Bulqiza do të kenë rrebeshe të izoluara gjatë pasditeve”, tha Porja.

Në pjesën tjetër të vendit kushtet do të mbeten përgjithësisht të qëndrueshme. Paraditet do të jenë me diell, ndërsa pasditet do të shoqërohen me vranësira, pa reshje të rëndësishme.


Ndryshimi më i dukshëm pritet në fundjavë, kur temperaturat do të ulen me 3-4 gradë. Në këtë periudhë parashikohen rrebeshe të shkurtra shiu në thuajse gjithë territorin, forcim i erës dhe dallgëzim i lartë në det. Reshjet do të nisin në veri dhe veriperëndim, për t’u shtrirë më pas drejt jugut dhe juglindjes.

Porja sqaroi se kjo ulje e temperaturave nuk nënkupton nisjen e qëndrueshme të vjeshtës, pasi moti i ngrohtë pritet të rikthehet.

“Është një situatë kalimtare sepse edhe pse fillimi i javës mbetet në këto ujëra, ne presim sërish temperaturat të cilat do të jenë 32-33° pothuajse gjithë shtatorit. Është parashikuar që muaji shtator do të regjistrojë temperatura më të larta. Pra nuk është se futemi zyrtarisht që këtë fundjavë në vjeshtë dhe më pas na presin ditë të freskëta, por do kemi sërish temperatura të cilat të paktën deri në fund të muajit do të jenë mbi 32 gradë”, u shpreh meteorologia.

Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, temperaturat e larta do të vijojnë deri të premten. Në Kosovë ato pritet të arrijnë në 33-35°C, ndërsa edhe në Maqedoninë e Veriut do të mbeten në nivele të larta.

Rrebeshet në këto dy vende priten të nisin të enjten dhe të premten, ndërsa gjatë fundjavës reshjet do të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kryesisht në orët e pasdites. Në zona të veçuara të Ballkanit nuk përjashtohen erëra të forta, mini-stuhi dhe breshër, ndërsa gjatë javës së ardhshme kushtet atmosferike pritet të përmirësohen gradualisht.

ME TE LEXUARAT