Koordinatori i “Forza Italia” për Ballkanin, në mbështetje të protestës kundër Ramës: “Populli duhet dëgjuar!

Koordinatori i Forza Italia për Ballkanin, Lorenzo Grassini, ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për protestuesit, duke theksuar rëndësinë e së drejtës për të protestuar dhe për t’u dëgjuar në një demokraci.
Ai thekson se dalja e qytetarëve në shesh nuk duhet parë si krijim rrëmuje, por si ushtrim i së drejtës për të shprehur zërin e tyre.
Sipas Grassinit, zëri i qytetarëve duhet dëgjuar pavarësisht nëse ata kanë të drejtë apo gabojnë, ndërsa protestat duhet të vlerësohen me qetësi.
“Ju flas si një njeri që Ballkanin e njeh prej 20 vitesh, jo nga librat, por duke ecur nëpër rrugët tuaja. Kur një popull del në shesh nuk po krijon rrëmujë, por po ushtron lirinë më të vjetër që ekziston, atë për tu dëgjuar.
Populli duhet dëgjuar gjithmonë, edhe kur ka të drejtë, edhe kur gabon. Sheshi nuk paragjykohet, por dëgjohet dhe më pas vlerësohet me qetësi. Ajo që nuk duhet bërë kurrë në një demokraci të vërtetë është ta bësh të heshtin.
Një zë i shtypur nuk zhduket, por kthehet më i fortë. Ju them qartë që unë jam me ju, me atë që ngre zërin dhe me atë që qëndron gjithmonë në këmbë”, tha Grassini në mesazhin drejtuar protestuesve shqiptare.


